Valon Murati: Vrasja në Gjakovë 'kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar'

Ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, vrasjen që ndodhi mbrëmë në fshatin Brekoc të Komunës së Gjakovës e ka quajtuar “kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar”.

Ai në një postimi në profilin e tij në facebook ka shkruar se ky rast ka ndodhur për shkak të injorimit të dukurisë së dhunës në familje.

“Vrasja e djeshme në Brekoc të Gjakovës e vajzës dhe gruas nga ana e babait dhe bashkëshortit ishte “kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar”. Dhuna e vazhdueshme në familje e vrasësit e kombinuar nga indolenca e organeve të ndjekjes si dhe injorimi shoqëror e familjar që i bëhet dukurisë së dhunës në familje, solli në këtë ngjarje tragjike. Dhe ky nuk është rast i izoluar fatkeqësisht”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ai ka shtuar se duhet mobilizim i tërë strukturave të shtetit, duke filluar nga shkollat, qendrat për punë sociale, policia e mbi të gjitha prokuroritë dhe gjykatat që kjo situatë të vihet nën kontrollë.

“Edukim për brezat e rinj, dënim maksimal për ata që mendojnë se kanë monopolin e dhunës deri në vrasje në familjet e tyre”, ka përfunduar Murati postimin e tij.  

40 vjeçari dyshohet se mbrëmë qëlloi për vdekje ish-gruan dhe vajzën 9 vjeçare.

KALLXO.com raportoi se brenda pesë orësh, Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta identifikonte vendndodhjen e njeriut i cili po e kërcënonte  ish-gruan e tij. Në raportet zyrtare të siguruara nga KALLXO.com viktima ishte ankuar në ora 16:00 në polici se po kërcënohej nga ish-bashkëshorti i saj.

Në një përgjigje zyrtare për KALLXO.com, Policia e Gjakovës ka konfirmuar se ishte e njoftuar për kërcënimin por nuk kishte arritur ta identifikonte vendndodhjen e dorasit.

“Në ora 16:00 viktima ka raportuar se është kanosur nga i dyshuari. Policia i janë përgjigjur rastit, kanë ndërmarrë veprimet operative duke e kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe në lokacione të ndryshme, është tentuar të kontaktohet edhe përmes telefonit por i njëjti nuk është paraqitur”, ka thënë Lirie Podrimja zyrtare për informim në Policinë e Kosovës. Ajo nuk ka dhënë detaje pse shtëpia e viktimës nuk është vënë nënë mbikëqyrjen e policisë.

Të dhënat e siguruara deri më tani nga KALLXO.com flasin se çifti kishin probleme në të kaluarën.

Detajet për këtë janë konfirmuar nga kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj. “Viktima është ankuar në polici për kërcënimin policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe ka tentuar ta kontaktoj por ka qenë e pamundur” ka thënë Selimaj.

Ai ka shtuar se dorasi është person i njohur për prokurorinë dhe ishte i njohur pasi ndaj tij ka një procedurë penale.

Selimaj ka përgënjeshtruar lajmet se i dyshuari ishte liruar dje nga paraburgimi. Në një bisedë për KALLXO.com, Selimaj ka konfirmuar se i dyshuari ishte në paraburgim nga data 12 maj deri në 6 qershor të këtij viti dhe ndaj tij ka një aktakuzë për dhunë në familje e cila është dorëzuar në gjykatë.

Në rrethana ende të pasqaruar një 40 vjeçare dhe vajza e saj u qëlluan për vdekje mbrëmjen e datës 7 gusht. Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i 40 vjeçares. Çifti jetonin të ndarë prej disa muajsh dhe kishin pesë fëmijë, dy prej të cilëve jetonin me të atin dhe tre me nënën.

Viktima siç mëson KALLXO.com është me prejardhje nga Tropoja ndërsa jetonte nga paslufta me familjen e saj në Gjakovë.

KALLXO.com ka shkruar sot edhe për reagimin e kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

https://kallxo.com/ardian-gjini-kerkon-llogari-per-vrasjen-ne-brekovc/