Foto: AFP/BBC

Valë e re e të nxehtit në Europë, temperatura mbi 40 gradë celsius

Sipas parashikuesit kombëtar të motit, qyteti francez i Bordosë ka thyer rekord sa i përket temperaturës më të lartë që kur ka filluar matja e tyre, raporton BBC.

Të martën, ‘Meteo France’ ka regjistruar temperaturën 41.2 gradë celsius në qytetin jugperëndimor të Bordosë, duke thyer rekordin e vitit 2003 kur temperatura kishte arritur në 40.7 gradë celsius.

Parashikuesit kanë parashikuar një rekord në Europë në valën e dytë të të nxehtit në kontinent.

Një zëdhënës i Organizatës Botërore të Meteorologjisë tha se valët e nxehtësisë bartin “shenjë dalluese të ndryshimit të klimës”.

“Siç e pamë në qershor, po bëhen më të shpeshta, po fillojnë më herët dhe po bëhen më intensive”, shtoi Claire Nullis. “Nuk është një problem që do të largohet”.

Sa mund të arrijnë temperaturat?

Në pjesën më të madhe të Francës është lëshuar alarmi portokalli – niveli i dytë më i lartë i paralajmërimit.

‘Meteo France’ thotë se temperaturat rekorde do ta godasin Parisin të enjten. Temperatura më e lartë e regjistruar është vendosur në vitin 1947, dhe është 40.4 gradë celsius.

Krahasimet janë bërë me një valë të temperaturave të larta të cilat Franca i përjetoi në gusht të vitit 2003, kur i nxehti shkaktoi pothuajse 15,000 vdekje.

Më poshtë gjeni fotografinë me temperaturat që do të mbretërojnë në kontinentin e Europës gjatë ditës së enjte, më 25 korrik.

Foto: BBC

Përgatiti: Dorentina Kastrati