Seancë pa Demarkacion e me Interpelanca

Shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën Valdete Bajrami pasi doli nga  mbledhja e Kryesisë së Kuvendit tregoi se nesër do të ketë vazhdim të seancës së Kuvendit, ndërsa javën e ardhshme sipas saj është paraparë një mbledhje tjetër e legjislativit.

“Do të ketë interpelanca nesër, ndërsa javën e ardhshme do të kemi seancë të rregullt”, tha Bajrami.

Në seancën e Kuvendit të zhvilluar më 19 prill ishin paraparë interpelancat e Kryeministrit Isa Mustafa për shfrytëzimin e qymyrit dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci rreth privatizimit të distribuimit të energjisë elektrike, por ato u shtynë.

http://kallxo.com/shtyhen-interpelancat/

Bajrami u ankua se shefat e grupeve parlamentare për mbledhjen e sotme të kryesisë janë njoftuar në mes të natës, ndërsa tregoi se priste që në rend dite të ishte ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit.

“Sinqerisht dhe sigurt ne kemi pritur që sot në rend dite do të jetë çështja e demarkacionit, po ja që as sot nuk është . ky mosseriozitet i qeverisë është bartë edhe te Kuvendi, duke i thirrë në gjysmë të natës shefat e grupeve parlamentare për t’i njoftu për mbledhje të kryesisë”, tha Bajrami.

Për lajmërimin e vonshëm të mbledhjes së kryesisë u ankua edhe nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti.

“Mbrëmë pas orës 10 jemi njoftuar për mbledhjen e kryesisë, e cila nuk ka qenë as urgjente e as e jashtëzakonshme. Mënyra e informimit është krejtësisht jokorrekte dhe në shpërputhje me rregulloren e Kuvendit”.

Dërguti tha se ftesa për mbledhje të Kryesisë u ka ardhur nga kryetari i Kuvendit, ndërsa ai nuk ishte i pranishëm në mbledhje.

Ndërsa nënkryetari Xhavit Haliti tha se  ftesa për mbledhjen e kryesisë u ka shkuar të gjithëve njësoj.

“Ftesa na ka ardhë të gjithëve nga administrata, mbledhja është mbajt me kërkesë të kryetarit të parlamentit”, tha Haliti.

Valdete Bajrami foli edhe mocionin e paralajmëruar nga Nisma për votëbesim të qeverisë.

“Është momenti i fundit që ne të mblidhemi dhe ta përfundojmë mocionin tonë, ndoshta deri në fund të javës ta kemi në seancë të jashtëzakonshme”, tha Bajrami.

Ajo nuk i bëri problem dyzet votat që i duhen mocionit për t’u shqyrtuar në Kuvend, por tha se janë duke punuar për sigurimin e 61 votave me të cilat ky mocion do të kishte sukses.

Bajrami nuk tregoi sa vota i ka siguruar Nisma për mocionin e votëbesimit të qeverisë.