Foto: Atdhe Mulla

'Uzurpimi' i 6 hektarëve tokë në Zonën Industriale

Të paktën 37 parcela në “Zonën Industriale” në Prishtinë me rreth 6 hektarë, shfrytëzohen nga biznese të ndryshme pa asnjë kompensim ndaj komunës.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2017 ka thënë se sipas Drejtorisë së Pronës në komunën e Prishtinës, këtë vit ka filluar të shqyrtohet mundësia e gjenerimit të të hyrave nga parcelat e kësaj zone.

Në vitin 2014 komuna kishte bërë verifikimin e të gjitha pronave komunale, në mesin e të cilave edhe ngastrat që janë në pjesën e quajtur “Zona Industriale”.

“Lënia e pronave komunale në shfrytëzim të bizneseve pa marrëveshje/kontratë dëmton të hyrat e komunës dhe rrit rrezikun që shfrytëzuesit të manipulojnë me ato prona”, thuhet në raportin e auditimit.

Në raport rekomandohet që kryetari të rishikoj shkakun e shfrytëzimit të pronave pa kompensime dhe të marrë veprime për të nënshkruar marrëveshje me bizneset/shfrytëzues të pronave për kompensimin e tyre, qoftë përmes qirasë ose formave tjera ligjore.

Sipas Auditorit, komuna e Prishtinës nuk ka arritur të kryej verifikimin e 1/3 së pronave të paluajtshme siç kërkohet me ligjin në fuqi për tatimin në pronën e paluajtshme.

Nga gjithsej 97,408 prona deri më tani komuna ka arritur të verifikoj vetëm rreth 23,521 sosh.

“Procesi i verifikimit është krejtësisht i ngjashëm me atë të regjistrimit për veç se nuk rezulton me regjistrim të një pronë të re mirëpo me përmirësimin e shënimeve ekzistuese”, thuhet në raport.

Sipas raportit të auditimit, mos verifikimi i 1/3 të pronave mund të rezultojë me mangësinë e informatave të plota të pronës së tatueshme aktuale, me ndikimin e mundshëm që të hyrat e vlerësuara për tatimin në pronë të ulen.