Neutralizimi i minave në Mramor (Simulim), Foto: Kallxo.com

Ushtrimi 'Shqiponja 6', FSK simulon neutralizimin e 4 minave në Mramor

Në ditën e katërt të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 7 maj 2018, është simuluar situata se disa barinj të fshatit Mramor kanë lajmëruar që afër një pompe karburanti kanë hasur në një mjet që dyshohet që është i rrezikshëm dhe eksplodues.

Sipas skenarit të ushtrimit alarmohet Policia lokale dhe vendoset kontakti me qytetarët. Detektimi i terrenit gjatë simulimit të kësaj situate tregon se e tërë zona është e minuar rëndë dhe me mjete të ndryshme.

Gjatë simulimit të këtij ushtrimi, ekipi i EOD-së ka identifikuar 4 mjete të rrezikshme, tri janë neutralizuar dhe mjeti i katërt është tërhequr nga distanca.

Në ditën e parë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 3 maj të këtij viti, 700 ushtarë janë dislokuar dhe janë vendosur në kampin fushor në Koliq.

Në ditën e dytë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, është simuluar një krizë në rajonin e Batllavës ku si rezultat i reshjeve të vazhdueshme është rritur niveli i ujit në liqen. Në mënyrë që mos të ketë dëmtime edhe më të mëdha, zyrtarët kanë hapur kanalin dhe kanë lejuar sasi të mëdha të ujit të dalin në lum.

Në ditën e tretë, në ushtrimin fushor ‘Shqiponja 6’, janë simuluar situata ku është dyshuar se grupet kriminale mund të kenë vendosur mjete të helmuara në afërsi të liqenit të Batllavës. Po ashtu, pjesë e këtij ushtrimi kanë qenë edhe rastet kur grupet kriminale kanë tentuar të bllokojnë lëvizjet e trupave tona në zonën e operacionit duke vendosur barrikada në rrugë.

Ka pasur edhe simulim të rasteve ku një familje ka pasur nevojë për ndihmë dhe evakuim nga thellësia e liqenit të Badovcit.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar ushtrimin fushor “Shqiponja 6” në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Përpos trupave të FSK-së, pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” kanë qenë edhe efektivët ushtarakë nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe KFOR-i.

Ky është episodi i katërt i serisë së emisioneve speciale për FSK-në, KALLXO Forca.

Më poshtë mund të gjeni xhirime ekskluzive të realizuara nga KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në kuadër të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.