Gjykata shtetërore boshnjake në Sarajevë. Foto: BIRN.

Ushtari Serb i Bosnjës Dënohet për Përdhunim Gjatë Luftës

Gjykata shtetërore në Sarajevë të mërkurën e shpalli ish-ushtarakun Zharko Vukoviq fajtor për përdhunimin e një gruaje në Foca në Bosnjën lindore.

Gjyqtarja tha se Vukoviqi e detyroi viktimën të zbriste në bodrumin e shtëpisë së saj dhe e përdhunoi atë disa herë nga prilli deri në gusht 1992.

“Gjykata arriti në përfundimin se si anëtar i forcave serbe të Bosnjës, Vukoviq po vepronte brenda një sulmi të përhapur dhe sistematik nga strukturat ushtarake, paraushtarake dhe policore që kishin në shënjestër civilët boshnjakë dhe se ai e dinte se veprimet e tij ishin pjesë e këtij sulmi,” tha kryetarja e trupit gjykues Mediha Pashiq.

Pashiq tha se viktima, e identifikuar si dëshmitarja A1, vdiq para se të ngriheshin akuzat për këtë çështje, por deklarata e saj nga hetimi vërtetoi akuzat në aktakuzë.

“Dënimi i të pandehurit nga gjykata bazohet kryesisht në dëshminë e dëshmitares A1, e cila është e detajuar, bindëse dhe mbështetet nga dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë,” shtoi ajo.

Gjatë dhënies të dënimit, gjykata mori parasysh se Vukoviq nuk kishte dënime të mëparshme, por e kreu krimin e tij pa mëshirë.

“Ndëshkimi përshtatet me seriozitetin e krimit,” tha Pasiç.

Vukoviq nuk mori pjesë në dhënien e dënimit.

Ai u lirua nga detyrimi për pagesën e kostove të gjyqit për shkak të gjendjes së tij të dobët financiare dhe të afërmve të A1 iu tha se mund të ngrenë një padi civile për dëmet jomateriale.

Vendimi mund të apelohet.