Ushtria e Malit të Zi, Foto: Ministria e Mbrojtes së Malit të Zi

Mali i Zi Bëhet Pjesë e KFOR-it

Mali i Zi ka në plan t’i dërgojë dy oficerë ushtarakë në misionin e udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR, në operacionin e saj të parë të ri ndërkombëtar pasi që u bashkua me aleancën ushtarake perëndimore vitin e kaluar.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Malit të Zi të premten vendosi të dërgojë dy persona ushtarakë për t’u bashkuar me KFOR-in, operacionin e udhëhequr nga NATO që ka ruajtur paqen në Kosovë që nga përfundimi i luftës së vitit 1999.

Këshilli, i përbërë nga kryeministri, kryetari dhe kryetari i parlamentit, tha se një propozim formal do t’i dërgohet parlamentit, i cili sipas ligjit në Malin e Zi ka fjalën e fundit për vendosjen e trupave jashtë vendit.

“Një oficer do të vendoset nën komandën e [KFOR] në Prishtinë dhe tjetri në selinë rajonale të misionit në Shkup, Maqedoni”, thuhet në deklaratën për media pas takimit.

Mali i Zi ka shqyrtuar planet për t’u bashkuar me KFOR-in që nga viti 2015, por e finalizoi vendimin pas bashkimit të plotë me NATO në qershor 2017.

Megjithëse ushtria e Malit të Zi ka marrë pjesë në disa misione ndërkombëtare, duke përfshirë edhe operacionet e udhëhequra nga NATO në Afganistan, kurrë nuk ka dërguar njësi ushtarake në Kosovë për shkak të situatës së komplikuar politike.

Një pjesë e madhe e malazezëve, rreth një e treta e popullsisë, deklarohen si serbë etnikë dhe ende e kundërshtojnë fuqishëm pavarësinë e Kosovës, të cilën Mali i Zi e njohu në vitin 2008.

Serbia ka premtuar të mos njohë pavarësinë e ish-krahinës së saj edhe pse ka rënë dakord të bashkohet në bisedimet e udhëhequra nga BE mbi marrëdhëniet “e normalizuara”.

Serbët etnikë në Malin e Zi dhe politikanët e tyre gjithashtu pohojnë se Kosova është ende një provincë e Serbisë.

Edhe pse Kosova dhe Mali i Zi kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, Podgorica ende ka vetëm një të ngarkuar me punë diplomatike në Prishtinë dhe jo një ambasador.

NATO ka udhëhequr operacionet paqeruajtëse në Kosovë që nga qershori i vitit 1999 në mbështetje të përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin në zonë.

Kjo forcë u krijua pas fushatës ajrore 78 ditore të NATO-s kundër regjimit të ish-udhëheqësit serb Slobodan Millosheviq, që synonte t’i jepte fund dhunës në Kosovë.

Objektivat e saj origjinale ishin të pengonin armiqësitë e rinovuara, të krijonin një mjedis të sigurt dhe të siguronin rendin dhe sigurinë publike, të çmilitarizonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-në, të mbështesin përpjekjet humanitare ndërkombëtare dhe të bashkërendojnë me praninë e shoqërisë civile ndërkombëtare.

Deri më tani, Kroacia është e vetmja republikë ish-jugosllave që ka kontribuar me ushtarë në KFOR. Zagrebi vendosi njësinë e saj të parë në vitin 2009.