Urimi i Qytetarëve për 10 Vjetorin e Pavarësisë

Në ditën kur Kosova mbush një dekadë së të qenurit shtet i pavarur, qytetarët kanë urime por edhe mesazhe për vitet e ardhshme të Republikës.

Përveq banorëve të Prishtinës, kryeqyteti sot ka mbledhur shqiptarë të qyteteve të ndryshme që kanë ardhur për të festuar përvjetorin jubile të pavarësisë.

Elva Luca që ka ardhur nga Tirana për të festuar, tregon përjetimin e saj për ndryshimet e Kosovës për 10 vitet në të cilat ajo e ka vizituar.

“ Ka shumë zhvillime edhe në mentalitet, njerëzit janë më të hapur, po e vlerësojnë çfarë kanë, shtetin e të gjitha”, tha Luca.

Një tjetër vajzë nga Shqipëria e quajtur Keida Ushtelenca pati një mesazh për qytetarët e Kosovës.

“Ju them njerëzve nga Kosova që të mos mërziten edhe nëse dikush mendon që gjërat nuk janë aq mirë, të kenë parasysh që të gjithë rajoni i Ballkanit kanë problematikat e veta, por ato duhet të jenë shumë të lumtur që prej 10 vitesh kanë një shtet”, tha Ushtelenca.

Për disa të tjerë, në Kosovën e pas 10 viteve nuk ka vetëm errësirë.

Granit Haziri thotë se është i lumtur që jeton në këtë dekadë.

“Një nder shumë i madh që jemi brez i Republikës”, tha djali nga Gjakova.

Kosova sot feston 10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e cila u bë me leximin e deklaratës nga Kryeministri i atëhershëm më 17 shkurt 2008.