Kuvendi Zgjedhor i PDK-së në Prishtinë, 12.05.2019 - Foto: PDK

Uran Ismaili zgjidhet kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ministër i Shëndetësisë, Uran Ismaili, është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë.

PDK-ja përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se në kuvendin zgjedhor që është mbajtur sot, Ismaili ka marrë shumicën absolute të votave.

“Në proces zgjedhor, ku morën pjesë 389 delegatë, me vota të fshehta, me shumicë absolute, kryetar i degës së PDK-së, në Prishtinë u zgjodh, Uran Ismaili. Po ashtu u zgjedhën Këshilli Drejtues i Degës prej 71 anëtarëve dhe delegatët për Konventën Qendrore të PDK-së”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Në këtë kuvend zgjedhor, ish-kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, pati kritika të ashpra kundrejt kryetarit aktual të kryeqytetit, Shpend Ahmeti i cili sipas tij po e mban peng zhvillimin e kryeqytetit.

“Ne po e jetojmë një qytet pa qeverisje, po e shohim se çka do me thane me qene një qytet pa kryetar. Qyteti po vyshket dhe po bën hapa prapa. Kemi një njeri në pushtet që pranon se ka frik të ballafaqohet me problemet që i ka Prishtina. Qytetarët tani më janë të vetëdijshëm , që alternativa e vetme për ta qeverisur Prishtinën është PDK”, citohet të ketë thënë ai.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit zgjedhor për Prishtinën, Enver Hoxhaj, në hapjen e Kuvendit zgjedhor të PDK-së në Prishtinë, ka thënë se Kosovës do i kthehet shpresa kur në krye të Qeverisë të jetë Kadri Veseli kryeministër e udhëheqjen e Prishtinës ta marrë kandidati për kryetar të PDK-së në kryeqytet, Uran Ismaili.

Në anën tjetër, nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi, njëherësh Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të brendshme të PDK-së, në fjalën e tij në Kuvendin zgjedhor të Degës së PDK-së në Prishtinë, ka paralajmëruar ardhjen e Kadri Veselit në krye të Qeverisë pas fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kurse, Uran Ismaili, ka vlerësuar se me këtë proces zgjedhor ka filluar edhe një ridefinim radikal i marrëdhënies mes PDK-së dhe Prishtinës.

https://kallxo.com/uran-ismaili-zotohet-ta-ndryshoje-gjendjen-ne-prishtine/

www.kallxo.com