Konferenca ndërkombëtare NETTIES Foto: KALLXO.com

UP nikoqir i konferencës ndërkombëtare NETTIES, promovohet e-shkenca

Sot në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” është hapur konferenca ndërkombëtare NETTIES, e cila mbledh studiues dhe akademikë nga vende të ndryshme të botës. Në bashkëpunim me Asociacionin Ndërkombëtar për e-Shkencë (IAFeS), kjo konferencë këtë vit po mbahet në Kosovë.

Presidenti i IAFeS, Radu Vasiu tha se për mbajtjen e kësaj konference, këtë vit kanë zgjedhur Kosovën sepse është vend më pak i zhvilluar dhe ka më shumë potencial.

Rektori i UP-së, Marjan Dema tha para pjesëmarrësve në këtë konferencë se Universiteti i Prishtinës është më i vjetri dhe më i rëndësishmi në Kosovë.

Ai falënderoi organizatorët e kësaj konference që zgjodhën Kosovën për mbajtjen e edicionit të 17-të.

“Në këto ditë akademike do të keni mundësinë që të diskutoni për ligjin, ekonominë, etikën, psikologjinë e shumë të tjera. Dua të falënderoj pjesëmarrësit që kanë ardhur nga vendet si Zvicra, Austria, Kina, Rusia e të tjera. Kjo konferencë do t’ua mundësoj që të jeni dy ditë në Prishtinë dhe të shkëmbeni njohurit tuaja përderisa eksploroni Kosovën”, la deklaruar Dema.

Tutje rektori Dema shtoi se qëllimi i ekipit universitar të UP-së, është që të transformojë universitetin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Presidenti i IAFeS, Radu Vasiu në hapje të konferencës tha se ndjehet krenar që këtë vit kanë ardhur në Prishtinë për këtë konferencë.

Ai tregoi se kjo konferencë është organizim ndërkombëtar, i cili është i regjistruar në Austri dhe se janë të anëtarësuara vendet evropiane, por edhe më gjerë.

“Siç thuhet edhe në emrin e konferencës ne jemi të interesuar të promovojmë shkencën e veçanërisht e-shkencën që ka të bëj me digjitalizimin e shumë aktiviteteve dhe duam të promovojmë shumë ide shkencore sepse këto janë e ardhmja. Po mundohemi të mbështesim shkencëtarët e rinj. Vitin e kaluar konferencën e mbajtëm në Korfu. Ndërsa këtë vit kemi zgjedhur Prishtinën sepse është një zonë e cila nuk është zhvilluar dhe ka shumë potencial”, ka thënë Vasiu.

Ai gjithashtu deklaroi se përmes kësaj konference shpresojnë të gjejnë ide të reja dhe fonde për t’i zhvilluar ato ide.

“Duam të mbështesim Kosovën dhe Prishtinën sepse duam edhe të sjellim disa doktorë në mënyrë që të zhvillohet më shumë”, ka theksuar presidenti i ASFeS.

Sot dhe nesër do të prezantohen ide të ndryshme rreth inovacionit dhe digjitalizimit si vegla për zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e vendeve.

Pjesëmarrës në këtë konferencë janë profesorë, ekspertë, dekanë ndërkombëtarë madje edhe ministri i Arsimit të Greqisë, Konstantinos Kalemis.

Edicioni i 17-të i kësaj konference, do të mbahet nga data 2 maj deri më 4 maj, në amfiteatrin e Fakultetit të Edukimit.