Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

UP: Ndryshimi i renditjes tonë në Webometrics, pasojë e Universitetit ilegal në Veri të Mitrovicës

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka sqaruar radhitjen e tij, në ranglistën e universiteteve botërore “Webometrics” duke deklaruar se përpjekjet e stafit akademik të UP-së për ngritjen e profilit akademik kanë prodhuar rezultat të shkëlqyer.

Në sqarimin e UP-së thuhet se në fund të muajit janar të këtij viti, është shpallur versioni i fundit i rangimit të universiteteve botërore, në të cilin UP-ja është pozicionuar rreth 2000 pozita më lartë se në vitin e kaluar.

“Në një përditësim të ri të rangimit nga Webometrics, pozicioni i Universitetit të Prishtinës është ndryshuar nga pozita e 1471-të në pozitën e 2668-të.”, thuhet në komunikatë.

Ndryshimin e renditjes së këtij universiteti në këtë ranglistë, UP-ja e cilëson si ‘ndryshim teknik’.

“Webometrics deri më tani e ka përfshirë në rangimin e Universitetit të Prishtinës edhe Universitetin e Mitrovicës, të administruar nga institucionet paralele në veri, i cili mban në mënyrë të paligjshme emrin Universiteti i Prishtinës.“, thuhet tutje në komunikatën e dërguar nga UP.

Ngritja në rangim e Universitetit të Prishtinës për rreth 2000 pozita, sipas UP-së ‘është rezultat i punës së stafit akademik të universitetit, që me publikimet shkencore e ka ngritur profilin akademik’.

“Tashmë, profili i Universitetit të Prishtinës është pastruar nga llogaritë e universiteteve tjera. Ne sigurojmë që menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës mbetet i përkushtuar që kontributi shkencor i stafit të UP-së të vlerësohet, promovohet dhe të intensifikohet, në mënyrë që UP-ja të vijojë ngritjen e profilit akademik kudo në botë, si dhe të vazhdojë të jetë pararojë e shkencës në Kosovë dhe rajon.”, thuhet më tej në këtë sqarim publik.

Në përditësimin e muajit janar të Webometrics, Univeristeti i Prishtinës ishte ranguar në vendin e 1471, duke u ngritur për 1662 pozita më lartë në krahasim me vitin e kaluar që zinte vendin e 3133-të në periudhën e njëjtë.

 

Këtu mund të shihni rangimin e universiteteve botërore.

 

https://kallxo.com/up-ja-para-universiteteve-te-tjera-publike-te-kosoves-ne-webometrics/

.