Rektorati i Universitetit të Prishtinës | Foto KALLXO.com

UP-ja hyn në listën Scimago të rangimeve të universiteteve

Në fjalën hyrëse të mbledhjes së 40-të të Senatit, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, tha se UP-ja është ngritur në radhitjen e universiteteve në Scimago.

“Faleminderit prej të gjithëve që kontribuuan që Universiteti i Prishtinës të radhitet në bazën e të dhënave Scimago, jemi në vendin 713”, tha Dema.

Ndërsa, prorektori i UP-së për kërkime shkencore, Faton Berisha tha për KALLXO.com se Kosova për herë të parë ka hyrë në listën Scimago të rangimeve të institucioneve.

Ai tha se arsyeja e futjes së UP-së në këtë listë është publikimi i punimeve shkencore të indeksuara nga databaza e citimeve Scopus.

“Scimago është një lloj portali i Scopus-it një institucion i cili i përpunon të dhënat e bazës akademike të dhënave Scopus. Edhe në të figuron Universiteti i Prishtinës si institucion nga Kosova. Deri tash s’ka pasë kuptim universiteti i Kosovës sepse te Scopus-i ka qenë si institucion në Serbi. Dhe figuron si institucioni i 713 në botë. Mendoj që arsyeja është rritja e numrit të publikimeve të indeksuara në Scopus në dy apo tri vitet e fundit, sipas meje është arsyeja kryesore.”, tha Berisha.

Sipas tij, menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës e konsideron këtë listim si sukses të tij dhe se për këtë janë njoftuar gjatë muajit gusht të këtij viti.

I pyetur nga KALLXO.com se sa e konsiderojnë sukses rangimin në këtë listë kur UP-ja është vetëm 70 vende prej fundit, pra nga 784 vende UP-ja është listuar në vendin e 713, prorektori Berisha tha se nuk është i informuar se sa vende janë saktësisht në këtë listë.

Madje, sipas tij, vetë fakti që kemi hyrë në këtë listë si të vetmit në rajon pas Maqedonisë, është sukses.

“Nuk mund ta konfirmoj se sa janë gjithsej universitetet e ranguara në Scimago sepse nuk e kam shikuar, sidoqoftë unë mendoj që është pozitive që rangohet së pari qoftë edhe nga 794, rangimi në Scimago është diçka për t’u lakmuar. Shembull nëse marr nëse e shikoni në vendin e parë është e ranguar Akademia e Shkencave Kineze, do të thotë ky është rangu i institucioneve që indeksohen. Nëse shikoni me kujdes mund ta shihni që nuk ka të ranguar asnjë institucion rajoni, nga Shqipëria p.sh. është vetëm një institucion nga Maqedonia dhe ai është Kiril Metodi.”, përfundoi ai.