UP dhe ARC nënshkruajnë memorandum për shkëmbim të të dhënave

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”  ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC), me të cilën parashihet shkëmbimi dhe identifikimi i saktë i të dhënave përkatëse.

Sipas një komunikate përmes media, Rektori i UP-së, Marjan Dema, u shpreh i lumtur për arritjen e këtij bashkëpunimi, i cili, sipas tij, do t’i shërbejë lehtësimit të proceseve të punës me studentë dhe staf në UP.

“Ne jemi shumë të interesuar që qasja e studentëve në shërbimet e UP-së të lehtësohet, sidomos në aspektin teknologjik. Ky memorandum i nënshkruar sot shënon një hap tutje në realizimin e këtij objektivi,” citohet të ketë thënë Dema.

Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm i ARC-së, Bekim Hoxha e konsideroi marrëveshjen me UP-në si njërën ndër marrëveshjet më të rëndësishme që ai ka nënshkruar, për faktin se ky memorandum do t’iu shërbejë studentëve dhe personelit të universitetit më të madh në vend.

Sipas komunikatës, nënshkrimin e këtij memorandumi e konsideroi të rëndësishëm edhe drejtori i Teknologjisë Informative në UP, Fatos Halilaj.

Bëhet e ditur se ky memorandum bashkëpunimi do të fillojë zbatimin që nga dita e sotme.

14 Mars 2019 - 16:27

Xheneta Murtezaj 14/03/2019 - 16:27
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend