Zahir Tanin, shef i UNMIK-ut - Foto: REL/AFP

UNMIK-u i shqetësuar për implikimet që taksa prej 100% mund të ketë në dialogun me Serbinë

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin është shprehur i shqetësuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake.

Tanin po ashtu ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me ndikimin e mundshëm të taksës mbi popullin e Kosovës, si dhe implikimet politike që mund t’i ketë ajo në dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“PSSP u bën thirrje liderëve politikë të marrin në konsideratë interesat afatgjatë të njerëzve dhe domosdoshmërinë për të ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Kosovës e ka rritur në 100 % taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Këtë vendim e ka marrë Qeveria në mbledhjen e sotme.

Qeveria e Kosovës ka ndryshuar vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e cila me 6 nëntor vendosi masë mbrojtëse 10% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.

“Nga sot t’i vendoset masa 100% për produktet me origjinë nga Serbia”, tha Endrit Shala, ministër i MTI-së.