Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Universiteti i Prishtinës Rangohet më Lart në Ranglistën e Webometrics

Universiteti i Prishtinës është radhitur më së larti nga universitetet e Kosovës në ranglistën e Webometrics.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është radhitur i 3320 në ranglistën e publikuar nga Webometrics në muajin janar.

Krahasuar me listën e publikuar në muajin korrik të vitit 2017, Universiteti i Prishtinës ka arritur të përmirësojë pozicionin e vet duke u ranguar për 618 vende më lart në listë.

Përmirësim në rangim ka arritur edhe Kolegji AAB, i cili për dallim nga ranglista e muajit korrik tani është ngritur për 1092 vende.

Përndryshe, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji AAB janë të vetmet universitete shqiptare që kanë arritur të futen në listën prej 5 mijë universiteteve të ranguara sipas citimeve në Google Scholar.

Universiteti Bujqësor i Tiranës nga Webometrics është radhitur i 5277 kurse Universiteti i Tiranës i 5978.

Ranglistës së Webometrics në tri pozitat e para i prijnë, Universiteti i Harvardit, Universiteti i Stanfordit dhe Universiteti i Masaçusetsit.

Ranglista e universiteteve botërore sipas Webometrics, i publikon rezultatet dy herë në vit, në muajin janar dhe në muajin korrik kurse në të përfshihen rreth 30 mijë universitete botërore.

Këtu mund të shihni rangimin e universiteteve botërore.