Universiteti i Prishtinës nis 'Ditët e orientimit për maturantë'

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sot ka filluar aktivitetin “Ditët e orientimit për maturantë”.

Këtë aktivitet, menaxhmenti i UP-së, e ka filluar me takimin e drejtorëve të Drejtorive Komunale të Arsimit.

Drejtori i DKA-së në Suharekë, Remzi Bytyqi tha se ky aktivitet duhet të mbahet çdo vit për arsye se nxënësit zakonisht kanë vështirësi për orientimin e tyre në studimet universitare.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe drejtori i Arsimit në Prishtinë dhe në Han të Elezit.

Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, UP organizoi edhe takimin mes maturantëve dhe fakulteteve.

Prorektorja për zhvillim dhe cilësi, Merita Berisha tha se ky aktivitet tre ditor është pjesë e planit strategjik të UP-së.

Ajo tha se UP ka paraparë që këtë vit të mbahen aktivitete për informimin dhe orientimin në karrierë për maturantë.

“Qëllimi i menaxhmentit është rritja e urave të cilësisë, gjithashtu UP kultivon traditën e informimit të maturantëve të cilat janë organizuar në shkolla të Prishtinës por këtë vit kemi tentuar që përmes 13 njësive akademike të UP-të iu mirëpresim për tri ditë në ambientin e Bibliotekës, për t’u informuar nxënësit për vitin akademik 2019/2020”, ka deklaruar prorektorja.

Flandra Sadiku nga Busulla inkurajoi maturantët që këto tri ditë të bëhen pjesë e këtij aktiviteti.

Maturanti Burim Mazreku tha se aktivitete të tilla janë shumë të nevojshme për moshatarët e tij sepse sipas tij, ‘gjenden në një udhëkryq të jetës prej të cilit varet e ardhmja e tyre’.

“Ato që më tërhoqën më shumë janë Fakulteti i Arteve dhe Fakulteti i Edukimit, andaj do të mendoj dhe do të vendosi ndërkohë”, tha nxënësi.

Aktiviteti i informimit dhe orientimit në karrierë për maturantët do të mbahet me 24, 25 dhe 26 prill nga ora 10:00 deri në orën 15:00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”.