Universiteti i Pejës, 'çerdhe' e PDK-së

Universiteti Publik i Pejës “Haxhi Zeka” të hënën përjetoi goditjen më të madhe që prej themelimit të tij në vitin 2011. Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020, duke përfshirë edhe akreditimin për Universitetin Publik të Pejës “Haxhi Zeka”.

Derisa në bankat e Universitetit nuk pritet të ulën studentët e rinj, profesorë dhe stafi tjetër përcjellës do të mbesin.

Hulumtimi i KALLXO.com vënë në pah se një pjesë e stafit akademik, të angazhuar dhe administrativ të Universitetit “Haxhi Zeka” ishin apo vazhdojnë të jenë pjesë e partisë së Kadri Veselit, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Rektorit të Universitetit “Haxhi Zeka”, Fadil Millaku nuk ka dashur të komentoj punësimet e zyrtarëve të PDK-së në Universitetin e Publik të Pejës. Ka thënë se punësimet janë përgjegjësi e sekretarit te Universitetit.

“Për këtë punë pyetni Sekretarin sepse Rektori nuk e bën rekrutimin e tyre, nuk i përzihem në ato punë sepse nuk është punë e imja. Nuk kam ndonjë koment tjetër”, tha ai.

Por, vetë Sekretari i përgjithshëm i Universitetit “Haxhi Zeka”, Astrit Ademaj, së fundmi është zgjedh në kryesinë e PDK-së në Pejë.

“Po, Sekretar i Përgjithshëm jam. Edhe anëtar i kryesisë së PDK-së në Pejë jam dhe ndihem krenar që jam”, ka thënë shkurt ai në një bisedë për KALLXO.com.

Edhe Sekretari i fakultetit të Biznesit në Universitetin e Pejës është zyrtar nga PDK.

Liridon Cukaj e ka pranuar se është pjesë e kryesisë së PDK-së në Pejë, ndërsa ka thënë se partia nuk ka ndikuar që të mbaj vendin e punës në të cilin është.

“Jam Sekretar në Fakultetin e Biznesit. Jam pjesë e kryesisë por nuk ka ndikuar partia, sepse unë jam pjesë e Universitetit që nga viti 2010”, tha ai.

Pjesë e stafit akademik në UHZ është edhe Albulena Gjurkaj, asistente e angazhuar në Fakultetin e Agrobiznesit.

E pyetur nga KALLXO.com se a është edhe pjesë e kryesisë së PDK-së në Pejë, ajo ka thënë se më nuk është dhe e ka mbyllur telefonin. Redaksia e ka kontaktuar atë disa herë, por ajo i ka ikur pyetjes.

“Jo, më jo. Për më shumë shkoni në fakultet pyetni ata, unë jam e angazhuar si asistente”, tha ajo.

KALLXO.com posedon listën e kryesisë së PDK-së në Pejë dhe emri i Albulena Gjurkajt renditët në numrin 14, në nëndegën e Karagaqit.

Ndërsa, anëtari tjetër i kryesisë së PDK-së në Pejë, Arton Muhaxheri, në një bisedë për KALLXO.com, e ka konfirmuar se Albulena Gjurkaj është pjesë e kryesisë në degën e PDK-së në Pejë.

“Po, Albulena është pjesë e kryesisë dhe njëra prej vajzave më të votuara në Kuvend”, ka thënë ai.

Pjesë e stafit administrativ është edhe Durim Hoxha si Drejtor për Mësim dhe Çështje Akademike. Ai po ashtu është pjesë e kryesisë së PDK-së në Pejë.

Hoxha e ka mohuar se partia ka ndikuar që ai të hyjë në punë.

“Mundeni me ardh me i pa procesin, vlerësimin dhe punën. Mundeni me e pa kush ka ndikuar, puna apo diçka tjetër”, tha ai.

Edhe asistentja e Rektorit të Universitetit “Haxhi Zeka”, Fadil Millaku, Ylfete Gashi, është anëtare e kryesisë së PDK-së në qytetin e Pejës.

Ajo ka qenë e paqashme në telefon por vetë rektori Millaku e ka konfirmuar për KALLXO.com se Ylfete Gashi është asistentja e tij.

“Është, Ylfetja është asistentja e imja. Është staf administrativ, për këtë drejtoju te Sekretarit”, ka thënë ai.

Ish- kandidatja e PDK-së për këtë komunë, Sabiha Shala, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, gjithashtu është pjesë e stafit të rregullt të Universitetit Publik të Pjesës “Haxhi Zeka” si Prorektore për Mësimdhënie dhe çështje Studentore.

Pjesë e UHZ-së është edhe anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Hajredin Kuçi, veçse ai është pjesë e stafit të angazhuar si profesor në Fakultetin e Juridikut.