Universiteti i Mitrovicës

Universiteti i Mitrovicës nesër pritet ta zgjedhë rektorin e ri

Këshilli Drejtues i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), nesër do të intervistojë kandidatët për rektor, si dhe pritet ta zgjedhë rektorin e ri.

KALLXO.com ka mësuar se janë gjithsej katër kandidatë potencial për këtë pozitë.

Bëhet fjalë për rektorin aktual të këtij universiteti, Alush Musaj, kandidatë të tjerë janë Islam Fejza, Blerim Baruti dhe Qazim Tmava.

Drejtori për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në UMIB, Ahmet Jashari, ka thënë për KALLXO.com se kandidatët potencial për rektor, pritet të intervistohen gjatë ditës së nesërme nga Këshilli Drejtues i këtij universiteti.

“Prej orës 13:00 e kanë caktu nëse nuk ndryshon diçka. Vendimin nuk e di a e marrin nesër apo tjera ditë, nesër është vetëm data e intervistimit”, ka thënë Jashari përmes telefonit.

Konkursin për rektor, Universiteti i Mitrovicës e kishte shpallur më 31 maj të këtij viti dhe kishte mbetur i hapur deri më 14 qershor.

Kush janë kandidatët për rektor?

Profesori Alush Musaj, është rektori i parë i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, ai në vitin 2013 fillimisht ishte zgjedhur si ushtrues detyre në kohën kur është themeluar ky universiteti.

Ndërsa në vitin 2015-të, është zgjedhur rektor në zgjedhjet e rregullta. Sipas gjetjeve të organizatës Çohu, Musaj ka qenë sekretari degës së PDK-së në Mitrovicë, si dhe drejtor i Inspeksionit në mandatin e Bajram Rexhepit si kryetar i Komunës së Mitrovicës.

Kandidati Islam Fejza, është profesor i rregullt në Fakultetin e Gjeoshkencave në Universitet të Mitrovicës.

Ndërsa, kandidati Blerim Baruti, është profesor i rregullt në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore në Universitet të Mitrovicës.

Angazhime të tjera sipas CV-së së tij, ka pasur edhe në fushën e politikës. Ai gjatë vitit 2001-2004 ka qenë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në periudhën 2006-2008, ka qenë Zëvendësministër i Transportit dhe Post Telekomunikacionit, në periudhën 2005-2009, ka qenë anëtar i Bordit në Komisionin e Pavarur të Minierave dhe Mineraleve.

Nga viti 2000 deri në vitin 2001, ka qenë asamblist në Mitrovicë, ndërkohë që nga viti 2013 deri në vitin 2015, ka qenë Drejtor i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës në Mitrovicë, deri në momentin që ishte shkarkuar nga kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri.

Kandidati i katërt për rektor, është Qazim Tmava, i cili aktualisht është profesor asistent në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Mitrovicës.

Sipas deklarimit të pasurisë në Agjencionin kundër Korrupsion, Tmava që nga viti 2016 është ushtrues detyre i pozitës së prodekanit në Universitet të Mitrovicës, si dhe është ligjërues në Kolegjin Fama dhe Kolegjin Globus.