Foto: UMT

Universiteti i Gjilanit shpjegon marrëveshjen me Universitetin e Mjekësisë në Tiranë

Më 12 janar të vitit 2018 Universiteti Publik i Gjilanit “Kadri Zeka” kishte nënshkruar marrëveshje me Universitetin e Mjekësisë në Tiranë edhe pse UKZ nuk ka Fakultet apo program studimi të Mjekësisë.

Marrëveshja që është nënshkruar nga rektori i UKZ-së, Bajram Kosumi dhe rektori i Universitetit të Mjekësisë të Tiranës, Arben Gjata.

Sipas njoftimeve të universiteteve në takim u fol për shkëmbimin e përvojave por edhe shkëmbim të stafit akademik dhe të studentëve.

Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare në këtë universitet, Dukagjin Leka për KALLXO.com tha se UKZ është duke planifikuar krijimin e programit të Mjekësisë Sportive dhe Fizioterapisë.

“Ne jemi duke planifikuar krijimin e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe si programe kemi planifikuar Mjekësinë Sportive dhe Fizioterapinë. Me UMT ne jemi në disa projekte ndërkombëtare, madje bashkëpunimi ynë na ka ndihmuar në aplikimin për një projekt Erasmus+. Në vitin 2018 dhe një tjetër në vitin 2019, e ne këtë aspekt të informojmë se UKZ është partnere edhe me Kolegjin Heimerer në projekte Eramsus+”, tha Leka për KALLXO.com

I pyetur nëse kanë aplikuar në Agjencionin e Akreditimit të Kosovës për këtë program në vitin 2018, Leka nuk ka dhënë përgjigje.

Ndërsa, Shkëlzen Gërxhaliu, zyrtar i lartë për Monitorim dhe Vlerësim  në Agjencionin e Akreditimit të Kosovës tha për KALLXO.com se UKZ-ja këtë vit nuk ka aplikuar për program të mjekësisë.

“Këtë vit UKZ-ja nuk ka aplikuar për programin Mjekësi Sportive dhe Fizioterapi. Këta kanë aplikuar këtë vit vetëm një program, e ai drejtim është matematikë arsimore”, tha Gërxhaliu.

Ndërsa udhëtimi drejt arritjes së kësaj marrëveshje sipas dokumenteve të siguruara nga KALLXO.com ka kushtuar 827 euro, dhe në udhëtim  ishin Rektori Bajram Kosumi dhe Prorektori Dukagjin Leka.

KALLXO.com kishte raportuar se gjatë vitit 2018, profesorët dhe stafi i Univerisitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka” kanë bërë 13 udhëtime në vende të ndryshme, që i kanë kushtuar shtetit 13 mijë e 803 euro.