Foto: Kallxo.com

UNDP dhe Gjermania me marrëveshje kundër armëve të paligjshme në Kosovë

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Ambasada Gjermane në Prishtinë kanë nënshkruar një marrëveshje për të mbështetur sektorin e sigurisë në Kosovë.

Ambasadori gjerman, Christian Heldt, dhe koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, njëkohësisht Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Urika Richardson, kanë nënshkruar marrëveshjen në vlerë të përgjithshme prej më shumë se 130 mijë euro.

Richardson ka thënë se lufta kundër përdorimit të armëve të paligjshme është element kryesor në sigurimin e paqes.

“Luftimi kundër përdorimit te armëve ka qenë elementi kryesor në sigurimin e paqes dhe një shoqërie të sigurt. Është element i rëndësishëm i punës sonë këtu dhe ne rajon. Në fakt është gjithashtu një prej strategjive tona që ta përforcojmë sigurinë e njerëzve në nivel të komuniteteve. Kemi punuar në mbështetje me Gjermaninë dhe partnerët tanë sidomos me Ministrinë e Punëve të Brendshme”, tha ajo.

“Kemi punuar me mekanizmat shumë institucionalë për ta luftuar përdorimin e armëve të vogla dhe të lehta. I dimë shumë mirë pasojat e këqija të përdorimit të armeve ne shoqëri. Kemi parë shumë shpesh këto pasoja dhe një numër i tragjedive të mëdha janë pasoje e përdorimit të armëve”, shtoi Richardson.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Helt ka thënë se përdorimi i armëve të vogla është problem i përhapur në tërë Europën.

“Në disa fusha Kosova ka bërë progres të kënaqshme, siç është në fushën e Forenzikës kemi parë këtë progres, por ka një progres që ka arritur sidomos me angazhimin e ekipit të UNDP-së me partnerët kosovarë. Në këtë aspekt jemi krenarë të vazhdojmë të bashkëpunojmë me UNDP-në duke synuar përkrahjen e shtetit kosovar, duke rritur sigurinë e qytetarëve të Kosovës”tha Helt.

“Nëse flasim për aspekte të integrimeve evropiane, duhet të them se siguria është diçka që duhet të shihet si e mirë e pandalshme e mirëqenies së qytetarëve. Ne po punojmë në sigurinë e Kosovës dhe ky është një benefit. Përdorimi i armëve është një rrezik me të cilin ballafaqohemi në tërë kontinentin e Evropës në përgjithësi”, shtoi ai.

UNDP përmes një broshure njofton se gjatë periudhës 2008-2017 janë konfiskuar 14.294 armë dhe shkatërruar 10.810 sosh.