Foto-ilustrim

Zjarri i Pashuar në Marevc

Zjarri i cili ka përfshirë disa male të fshatrave të Prishtinës po vazhdon edhe sot.

Malet e fshatit Butovc, Ballaban dhe Marevc janë malet të cilat janë përfshirë nga zjarri i para 3 ditëve, i cili është aktiv edhe sot në disa pjesë.

Drejtori i Drejtorisë Koordinuese Rajonale të Prishtinës Hakif Hyseni tha për KALLXO.com se zjarri në malet e fshatit Butovc dhe Ballaban është shuar dje, mirëpo ende nuk është lokalizuar në fshatin Marevc.

“Ne kemi dërguar përforcimet tona dhe zjarri i cili ka qenë në Butovc dhe në Ballaban është shuar dje, mirëpo ka mbetur aktiv ende në fshatin Marevc ku po qëndrojnë zjarrfikësit dhe zyrtarët e pylltarisë së Komunës së Prishtinës,” tha Hyseni.

Ai deklaroi që është zbuluar shkaktari i zjarrit në fshatin Ballaban, kurse për fshatrat tjera nuk kanë ende informacione.

“Shkaktar i zjarrit në fshatin Ballaban është një person i cili e ka pranuar që në mënyrë aksidentale e ka ndezur zjarrin të cilin pastaj nuk ka mundur ta kontrollojë dhe është shpërndarë edhe në sipërfaqe të tjera. Ndërsa për zonat tjera ende nuk kemi arritur ta gjejmë shkaktarin, por me siguri është nga pakujdesia e njerëzve të cilët shëtisin nëpër pyje,” tha Hyseni për KALLXO.com.

Sipas tij gjysma e pyjeve të përfshirë nga zjarri janë private.

“Diku 50 për qind të pyjeve te mbuluara prej zjarrit janë pyje private dhe cili është ai pronar i cili kishte me djeg pyllin e vet në mënyrë të qëllimshme. Në 70 për qind të rasteve zjarri ka filluar në pyjet private dhe pastaj ka kaluar në pyjet shtetërore,” theksoi Hyseni.