Milorad Pupovac (majtas) dhe Zoran Pusic (djathtas). Foto: Nenad Jovanovic

Zemërim Ndaj Prezantuesit Televiziv Kroat për Fjalën ‘Çetnik’

Këshilli Kombëtar Serb i Kroacisë, SNV, dhe Komiteti Qytetar për të Drejtat e Njeriut, GOLJP, të enjten paraqitën një ankesë në lidhje me një prezantues televiziv, i cili u tha që njerëzit të kishin kujdes nga “çetnikët” në kishën kryesore ortodokse të Zagrebit.

Marko Juriç, prezantuesi i emisionit “Sheshi i Markut”, i cili ka marrë emrin e një sheshi historik, duke folur në televizionin Z1, të martën u tha njerëzve në Zagreb, “sidomos nënave me fëmijë, të bënin kujdes se një nga këta vikarë çetnikë del nga kisha dhe, në stilin e tyre më të mirë të vrasjeve, fillon ndonjë betejë të përgjakshme në sheshin më të bukur të Zagrebit”.

Ai vazhdoi duke thënë se në sheshin Preradoviç duhej të varej një tabelë ku të shkruhej “Kujdes nga çetnikët agresivë”.

Fjala “çetnik” ka shumë konotacione në ish-Jugosllavi. Fillimisht me këtë fjalë i referoheshin luftëtarëve monarkistë serbë në Luftën e Dytë Botërore. Më vonë ajo mori konotacione pezhorative, aq më tepër gjatë luftërave të viteve 1990, kur shumë grupe paraushtarake serbe u vetëquajtën “çetnikë”.

Milorad Pupovaç, kreu i SNV-së dhe njëkohësisht deputet, tha se sulmet e tilla verbale ishin “pasojë e fushatës politike që ishte krijuar në tre vitet e fundit”.

“Këto janë politika që mendojnë se të përhapësh frikë është shumë më e rëndësishme për unitetin kombëtar kroat sesa një dialog demokratik. Kjo është arsyeja pse ky nuk është problem i Marko Juriç dhe televizionit Z1. Po flasim për një axhendë politike që fiton gjithnjë e më shumë hapësirë,” tha ai.

Pupovaç tha gjithashtu se akte të tilla kishin si qëllim “të ndalonin pajtimin historik të besimtarëve katolikë dhe atyre ortodoksë,” të mbështetur nga vetë Papa Françesku.

Ky ishte “një rast që vërteton se sa shumë fjalime urrejtje, thirrje për dhunë dhe linçim të shoqërisë, mund të tolerojnë media dhe rregullatorët,” shtoi ai.

Vitin e kaluar, pati pesë sulme fizike mbi nxënësit nga shkolla e mesme ortodokse serbe në Zagreb, theksoi ai.

SNV-ja ia ka raportuar këtë çështje zyrës së prokurorit të shtetit dhe agjencisë për median elektronike.

Zoran Pusiç, president i GOLJP-së, tha se “i takonte shumicës të kujdesej që pakica të ndihet komode”, por nëse shumica nuk ka dëshirë ta bëjë këtë, “asnjë ligj sanksionimi nuk do të ndihmonte”.

“Gjatë vitit, kishte një lloj trendi kundrejt sulmeve, jo vetëm mbi pakicat kombëtare dhe serbëve në veçanti, por kundrejt aktivistëve të të drejtave të njeriut,” tha ai, duke shtuar se persona anonimë kishin shkruar fjalë shoviniste në makinën, garazhin dhe ndërtesën ku ndodhet shoqata e tij.

Marjana Rakiç, presidente e këshillit për median elektronike dhe kryetare e agjencisë për median elektronike, ditën e mërkurë tha se këshilli “pati një mbledhje urgjente” dhe i kishte kërkuar televizionit Z1 t’i përgjigjet brenda 48 orësh akuzave për fjalime urrejtjeje.

“Do të shohim se çfarë do të thonë ata dhe, duke qenë se vetë ne s’mund të bëjmë dot m shumë sesa të japim një deklaratë, do t’ia dërgojmë këtë çështje prokurorit të shtetit,” tha ajo. Agjencia mund të nxjerrë vetëm paralajmërime.

Juriç, i cili shkruan gjithashtu për portalin e lajmeve Direktno.hr, ka dërguar një deklaratë me shkrim ku mbron fjalët e tij me arsyetimin se klerikët ortodoksë serbë në Kroaci shpesh “këndojnë këngë çetnike”.

“Nuk ishte qëllimi im as të ofendoja dhe as të diskriminoja ndonjë. Nëse kjo ka ndodhur, sigurisht që më vjen keq për këtë,” përfundoi ai.