
Foto: KALLXO.com
Voton Ramush Haradinaj, fton qytetarët të marrin pjesë në procesin zgjedhor
Kandidati për kryeministër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka votuar sot rreth orës 09:00 në qendrën e votimit në shkollën “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Haradinaj u shoqërua nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij.
Ai në një prononcim të shkurt për media njoftoi se dy fëmijët e tij votojnë sot për herë të parë.
Ndërsa, tutje u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Dilni votoni. Kosova ka nevojë për votën e juaj. Na prift e mbara!”- tha ai.
Ramush Haradinaj, në këto zgjedhje është kandidat për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30.
Qytetarët e Republikës së Kosovës sot më 09.02.2025 do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur ligjvënësit dhe Qeverinë e re.
Qendrat e votimit do hapen në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.
Në të gjithë territorin e vendit do të hapen 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.
Në këto Zgjedhje të gjithë ata që do të votojnë me kusht kanë mundësi të votojnë vetëm në një Qendër Votimi, në një Komunë. Sipas KQZ-së do të jenë 38 Qendra Votimi me kusht, me gjithsej 58 vendvotime.
Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.
Procesi i votimit në Kosovë do të monitorohet nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, media vendore e ndërkombëtare dhe përfaqësues të trupave zgjedhore nga vendet e tjera.
Zgjedhjet e sivjetme parlamentare në Kosovë do të sjellin një risi sa i përket vëzhgimit të procesit të votimit, pasi që, për herë të parë, në qendra votimi do të ketë edhe kamera mbikëqyrëse.
KQZ -ja ka akredituar 1680 vëzhguesve për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës, janë zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
DIREKT – Kosova voton sot për zgjedhjet parlamentare