Vitia Bëhet Sërish me Kinema

Qyteti i Vitisë është bërë pas 37 vitesh sërish me kinema. Përurimi i investimit të Bashkimit Evropian është bërë sot.

Kinemaja nga zyrtarët komunalë u cilësua si më modernja në vendet e reajonit.

“Kultura në veprim” është projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e i implementuar nga Komuna e Vitisë, përkatësisht Departamenti i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në partneritet me OJQ-në “Elita”.

Ky projekt ka filluar të implementohet që nga viti 2014 në bashkëpunim ndërmjet Komunës së Vitisë dhe Komunës së Likovës të Republikës së Maqedonisë.

Komuna e Vitisë dhe Komuna e Likovës si përfituese kanë përmirësuar qasjen e qytetarëve në kulturë si dhe kanë krijuar rrjete për zhvillim të qëndrueshëm kulturor.

Hapja e kinemasë së qytetit dhe promovimi i artizanateve dhe arteve ka qenë fokus i këtij investimi.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se qytetit dhe komunës pas 37 viteve më në fund i rikthehet kultura dhe kinemaja.

“Jemi bashkë në këtë ngarje inovative, në panairin e kulturës nga të dy anët e kufirit, pra Vitisë dhe Likovës, dhe jemi po ashtu edhe para ngjarjës tjetër që i rikthehet qytetarëve tanë pas 30 viteve – inaugurimi i kinemasë 3D”, tha ai.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Christof Stock, shef i Operimeve i Zyrës së BE-së në Kosovë, i cili u shpreh i kënaqur me idenë e projektit.

“Kam pasur kënaqësinë që të jem këtu në qytetin e Vitisë shpeshherë dhe është një kënaqësi e vacantë të kthehem në këtë qytet për një projekt ndërkufitar. Projekti ndërkufitar është një koncept shumë i rëndësishëm për shkak se synon afrimin e komuniteteve në dy anët e kufirit, si në Kosovë dhe në Maqedoni”, tha Stock.

Po ashtu, i pranishëm ishte edhe kryetari i Likovës, Sadullah Duraku, dhe përfaqësues nga Ministria e Administrimit Lokal.