Violeta Hyseni-Kelmendi: KPM-ja nesër emëron kryeshefin e ri

Violeta Hyseni-Kelmendi, anëtare e Komisionit të Pavarur për Media (KPM) ka thënë se nesër ky institucion do të emëroj kryeshefin e ri, pas arrestimit të Luan Latifit.

“Ne si komision, si organ vendimmarrës, jemi përgjegjës për emërimin e kryeshefit, andaj personi i cili do ta zëvendësoj kryeshefin do të vendoset më së largu nesër në këtë kohë” , tha ajo.

Hyseni-Kelmendi pas mbledhjes së jashtëzakonshme, tha që në mbledhje kanë kërkuar interpretim nga zyra ligjore sesi të veprohet pas arrestimit të kryeshefit Luan Latifi dhe drejtorit të financave Arben Bilalli.

“Në momentin që po flasim jemi pa udhëheqësin e zyrës ekzekutive, gjithashtu jemi pa drejtorin e administratës dhe financave andaj si hap i parë për ne është sesi duhet të veprojmë dhe kush duhet ti zëvendësoj këto dy pozita që janë të rëndësishme për funksionimin e institucionit”, theksoi ajo.

Tutje ajo tha se në vend të drejtorit Arben Bilalli, do të emërohet një ushtrues detyre.

“Sigurisht që njëri nga drejtorët e departamenteve KPM-së do ta ruaj rolin e zëvendësuesit deri në një vendim të gjykatës, pra, varësisht nga vendimet që merr gjykata ne do të veprojmë me këtë pozitë. Pastaj pozita e drejtorit në momentin që caktohet zëvendësuesi do të plotësohet në nivel të zyrës ekzekutive”, tha ajo.

Për KALLXO.com, Hyseni-Kelmendi tha që informacionin për kryeshefin dhe drejtorin e kanë marrë nga mediat.

“Ne si komision nuk kemi qenë të informuar si komision lidhur më rastin dhe informatën e parë e kemi marrë nga mediat, andaj fillimisht kemi dashur ta kuptojmë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe të kuptojmë se cilat janë masat që ne duhet ti marrim si komision në rastet e tilla”, theksoi ajo.

Dyshimet për korrupsion dërguan në arrestimin e Latifit dhe Bilallit.

Latifi dyshohet se bashkë me drejtorin e financave Arben Bilalli kanë marrë ryshfet nga një biznes.

Ndaj Bilallit është kërkuar paraburgimi prej 30 ditësh pasi dyshohet se ka marrë ryshfet nga një biznes.

Sipas Prokurorisë, Bilalli dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8,000 € (tetë mijë euro), me premtimin se do të ndikoj në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.

Ai është në pozita të larta në Komisionin e Pavarur për Media që nga viti 2008.Komisioni i Pavarur për media është institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutën e Kosovës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Komisioni i Mediave trajton ankesat e qytetarëve për shkeljet e supozuara që mund t’i bëjnë mediat (Televizionet dhe Radiot) në etikë dhe në shfrytëzimin e licencës së transmetimit.

Arben Bilalli, drejtor i financave në Komisionit të Pavarur për Media, i cili është arrestuar dy ditë më parë nën dyshimet për korrupsion, del të jetë kapur në flagrancë.