VIDEO: Tre Kryetarë për dy Presidentë

Tre kryetarë të komunave të Kosovës të ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë”, diskutuan për Presidenten e kaluar, Presidentin e tanishëm dhe rolin e Presidencës në përgjithësi.

Mimoza Kusari- Lila, Gazmend Muhaxheri dhe Begzad Sinani dhanë vlerësimin e tyre për mandatin e kaluar presidencial dhe shpresat për pesëvjeçarin e ardhshëm.

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila vlerësoi punën e presidentes së larguar, Atifete Jahjaga si shumë reprezentative për faktorin ndërkombëtar por sipas saj të mangët për nga fuqia politike.

“Besoj që perceptimi për Presidenten ka qenë shumë më i fuqishëm jashtë vendit. Presidenten Jahjaga e mbaj në mend si një person tërësisht jashtë politikës, është vërejtur mos involvimi i saj në politikë në raport me punën ose angazhimin që e ka pasur paraprakisht”, vlerësoi Kryetarja e Gjakovës

Për sa i përket presidentit të sapo zgjedhur, Hashim Thaçit, Kusari-Lila nuk është shprehur optimiste se gjatë mandatit të tij do të kenë ndryshime pozitive për vendin.

“Nuk pres lëvizje në agjendën zhvillimore të vendit, jo për zotin Thaçi po për rolin e presidencës, nuk pres ndonjë kthesë madhore në historinë moderne të Kosovës prej vitit 2016”, konstatoi Kusari-Lila.

Në anën tjetër, Begzad Sinani, kryetar i Komunës së Kamenicës e konsideron zgjedhjen e Thaçit president si kthesë shumë pozitive për Kosovën duke ngritur lartë figurën e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës të cilës i përket edhe Sinani.

“Vetëm njerëzit e mëdhenj bëjnë kthesa të mëdha dhe zgjedhin probleme të mëdha, në këtë kuptim unë shpresoj shumë që do të ketë kthesa pozitive për Kosovën”, deklaroi Sinani.

E për presidenten Jahjaga, Sinani thasë ajo do të mbahet në mend për raportin që pati me ndërkombëtarët por, sipas tij, ky raport ishte pa rezultate në njohje.

“Presidentja më shumë ka pasur karakter turistik se sa që i ka shërbyer njohjes së shtetit së Kosovës nga shtetet që ne kemi pasur nevojë më së shumti,” tha Sinani.

Për presidenten Jahjaga, fjalë të mira pati Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri i cili vlerësoi performancën e Presidentes si shembullore.

“Atifete Jahjaga e ka kryer rolin e saj si presidente besoj që shumë mirë edhe të tjerët duhet të maten me pesëvjeçarin e zonjës Jahjaga. Ajo është munduar të sjellë investitorë prej Amerikës, Katarit, Emirateve, kanë ardhur njerëz për të ndërtuar dhe po ndërtohet një spital”, tha Muhaxheri.

Por për pesëvjeçarin e ardhëm nën presidencë të Hashim Thaçit, Muhaxheri tha se pret vetëm zbatimin e kompetencave që i ka ky post.

“Prej z.Thaçi pres ta ruaj rolin e tij kushtetues që  e ka, asgjë më tepër se që e ka të shkruar në kushtetutë”, tha Muhaxheri.