Vetëvendosjes i ‘del problem’ me garën e brendshme për Kaçanikun

Shukri Luta nga Lëvizja Vetëvendosje në Kaçanik ka akuzuar kryesinë qendrore të kësaj partie se ia ka hedhur poshtë kandidaturën për të parin e kësaj komune, ani pse kishte marrë nënshkrimet e mjaftueshme në Grupin Punues të Qendrës.

Luta përmes një reagimi ka thënë që këto janë veprime imponuese të Kryesisë së LVV-së në Prishtinë.

“Më datë 12.8.2021, kjo Kryesi na e paska njoftuar Qendrën në Kaçanik se kandidatura ime na qenka hedhur poshtë pa hezitim ndërsa qenka miratuar edhe de jure ajo e z. J. Raka – të cilën kandidaturë e votuan vetëm sa për sy e faqe shumica absolute e anëtarëve të Grupit”, ka shkruar ai.

Ai ka akuzuar partinë për proces të parregullt të shoqëruar nga mungesa e transparencës.

“Duke qenë se ky proces fund-e-krye është shoqëruar me parregullsi të mëdha, si: mungesë transparence, imponime dhe montime të caktuara, duke mos përfillur edhe asnjë ankesë të paraqitur sado të arsyeshme e me vend, me ç’rast demokracia e brendshme përdorej vetëm si mbështjellje e jashtme e diktatit të brendshëm nga lartë, atëherë unë jo vetëm që nuk mund ta pranoj këtë vendim por njëkohësisht REAGOJ/PROTESTOJ kundër kësaj logjike që manifeston këtë qasje anti-demokratike dhe njëherit joetike”, ka shkruar ai.

Tutje Luta ka njoftuar me qenë se ‘partia ia ka mbyllur derën’ ai do të jetë kandidat i pavarur për të parin e Kaçanikut.

“Mora vendim sado të vështirë për personin tim që në këto rrethana shtrënguese të kandidohem për kryetar të Kaçanikut si kandidat i pavarur vetëm e vetëm që vullneti i juaj i zëshëm për ndryshim të gjejë shprehje dhe zbatim, gjegjësisht vota juaj ta bëjë efektin e dëshiruar shpresëdhënës të cilin shumica e qytetarëve me aq ngulm janë duke e kërkuar”, ka theksuar ai.

Zgjedhjet lokale në Kosovë, do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.