Veseli: Asgjë e madhe në Kosovë nuk është bërë pa kontributin e grave

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në shënimin e 30-vjetorit të demostratave të 23 marsit 1989 me nismëtare gratë dhe vajzat e Balajve në Ferizaj, ka thënë se këto demonstrata ishin shkëndijat e para të një zgjimi masiv kombëtar në Kosovë, kundër ndryshimeve të dhunshme kushtetuese. ​

“Derisa aspirata jonë kombëtare ishte avancimi i statusit politik të Kosovës, Serbia kërkonte të na hiqte edhe atë autonomi që kishim fituar në vitin 1974, pas 30 vjet shtypje e diskriminim nën Jugosllavinë titiste. Po fillonte përballja e madhe me Serbinë. E gjithë Kosova ishte gati të ngrihej. Dhe të parat u ngritën nënat kosovare. U ngritët ju, me guxim e ndjenjë sakrifice për t’i thënë jo agresionit serb mbi Kosovën“, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit tha se në dy dekada liri, janë arritur gjëra të mëdha si komb, mbi të gjitha, Kosova tashmë është shtet i pavarur e sovran.

Por, ai shtoi se tashmë është koha për përballje me sfidat e reja, si fuqizimi i shtetit dhe zhvillimi ekonomik.

“Një gjë është e sigurtë: pa gratë, Kosova nuk do të mund të ecë përpara, sepse historia jonë na mëson se asgjë e madhe në Kosovë nuk është bërë pa kontributin e grave të saj“, theksoi kryeparlamentari Veseli.