Vendos gjykata veteranët do i marrin pensionet

19 mijë e 500 përfitues të pensioneve në kategorinë e veteranëve të luftës do të vazhdojnë të marrin pensionet e tyre.

Kjo megjithëse ekziston një aktakuzë kundër 12 personave lidhur me verifikimin e statusit të veteranit të luftës, që sipas prokurorisë ka quar në përfitim të jashtëligjshëm të pensioneve nga personat që nuk duhet ta kenë këtë status.

Lidhur me këtë kishte pasur kërkesë për masë të sigurisë që do të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë deri në përfundim të procedurës penale lidhur me aktakuzën në fjalë.

Këtë kërkesë e refuzoi Gjykata në Prishtinë.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Një muaj më pas, më saktësisht me 9 tetor, Gjykata e ka kthyer aktakuzën mbrapa duke kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e saj brenda 30 ditëve.

Prokuroria Speciale pasi nuk kishte arritur ta dorëzojë brenda afatit kohor të përcaktuar në aktvendim, kishte kërkuar nga gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj edhe 30 ditë kohë shtesë.

Aktakuza ishte kthyer me qëllim që të qartësohet se si e kanë kryer veprën penale të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata po ashtu ka kërkuar që të qartësohet edhe numri i  personave të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj është kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.

https://kallxo.com/vendimi-i-fundit-i-gjykates-ndaj-komandanteve-te-uck-se-ne-rastin-e-fryrjes-se-listave-te-veteraneve/