Ilustrim

Vendimi i Qeverisë: Punëtorët të ecin katër kat në këmbë

Punëtorët që punojnë në ndërtesën e re të qeverisë do të duhet të shfrytëzojnë shkallët deri në katin e katërt.

Kjo për shkak të një vendimi që kufizon lëvizjen e ashensorëve në ndërtesën e ish-Rilindjes në katet 1 deri në 4.

KALLXO.com ka siguruar një korrespodencë të Ministrisë së Administratës Publike që kërkon që tre nga katër ashensorët e kësaj ndërtese të mos ndalen në katër katet e para që nga e mërkura.

Arton Berisha, Sekretar i Përgjithshëm i MAP-së, ka konfirmuar për KALLXO.com se kjo po bëhet për shkak të ngarkesës së madhe në ashensorë.

Ndërkaq aktiv për të gjitha katet do të mbetet vetëm ashensori që është i dedikuar edhe për personat me nevoja të veçanta.

“Në ndërtesën e Rilindjes janë 4 ashensorë .Tre nga ta nuk do te ndalen ne katet 1-4 për arsye se ka shumë punëtor që janë në katet e larta dhe po ka pengesa në qarkullim dhe po ka ankesa të vazhdueshme nga stafi”, thuhet në përgjigjen e Berishës.

“Duke pasur parasysh ngarkesën e madhe në ashensor dhe në funksion të eliminimit të pritjes është rekomanduar nga njësia përgjegjëse qe kjo praktikë te zbatohet .Një ashensor do të funksionon normalisht në të gjitha katet”, shtoi ai.

Qeveria me Kryeministër Ramush Haradinaj është më e madhja deri më tani me 21 ministri ndërsa ka të emëruar mbi 80 zëvendësministra.

Sa na Kushton “Ushtria” e Gjeneralit