FOTO - Naser Hafizi - Facebook

Vendimi i Gjykatës - Paraburgim ndaj zyrtarit të MMPHI-së, Naser Hafizi

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj zyrtarit të MMPHI-së, Naser Hafizi, i cili u arrestua dje në Aeroportin e Prishtinës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i të dyshuarit Naser Hafizi, avokati Shpëtim Mehmeti.

“Kërkesa është aprovuar për caktimin e masës së paraburgimit, të njëjtën kemi me ankimu dhe me i ndjek procedurat ligjore”– tha avokati Mehmeti për KALLXO.com.

“Diskrecioni i gjykatës është ai i cili ja falë besimin prokurorisë ose nuk ja falë e në këtë rast ia ka falur, ju ka caktuar masa për 1 muaj”- shtoi tutje avokati Mehmeti.

Naser Hafizi po dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, shpëlarje të parave, dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare.

Mbi bazën e këtij dyshimi Naser Hafizi është arrestuar më 10.10.2024 në Aeroportin e Prishtinës.

Të martën, më 08.10.2024, KALLXO.com raportoi se sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, është arrestuar pas aksionit të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës në ambientet e kësaj Ministrie.

Ndaj të të njëjtit Gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Ndërsa, i dyshuari i dytë, Naser Hafizi, nuk ishte gjetur në vendbanimin e tij.

Në komunikatën e PSRK-së tregohet se çka ishte gjetur gjatë bastisjeve të së martës.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: 1 revole e tipit MAUSER-ËERKR me 2 karikator me nga 7 fishekë, dhe një kuti me 54 fishekë  9 mm, 34 fletë dokumente të ndryshme, 3 telefona, 1 IPhone 15 ProMax, 1 IPhone 12 ProMax, 1 IPhone 11 ProMax, 17 USB, 3 laptopë HP, 4 shtëpiza kompjuteri si dhe dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore” .

Po ashtu, është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë.

Sipas njoftimit të dy institucioneve, aksioni u zhvillua pas hetimeve disamujore.