Vdekja e 22 vjeçarit në kompaninë e derivateve, Prokurorja: Afër vendit gjetëm telefonin e tij

Prokurorja Shemsije Asllani në një bisedë për KALLXO.com ka sqaruar rrethanat që ajo e ka gjetur vendin e ngjarjes në kompaninë e derivateve ku vdiq 22 vjeçari nga Mushtishti i Suharekës

Menjëherë pas rastit tragjik në vendin e ngjarjës kishte dalur edhe Prokuroria për të marr provat nga vendi i ngjarjes.

Shemsije Asllani, prokurore kujdestare në rastin e 22 vjeçarit ka rrëfyer për KALLXO.com detajet për rastin e Krenar Jeminit, 22 vjeçar nga Mushtishti i Suharekës.

Sipas prokurores deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar por ka thënë se do të shihet rasti për nga aspekti i sigurisë në punë.

“Nuk ka pas asnjë ndalesë për asnjë person. Nuk kemi pasur asnjë që kemi dyshuar. Por, për sigurinë në punë, tash e ka përgjegjësinë pronari i kompanisë, nëse nuk i ka siguruar kushtet adekuate kushtet për punëtorin” tha ajo.

Ajo ka thënë se në momentin kur do të kenë informata për të dyshuar, do të urdhërojnë edhe arrestimin.

“Nëse do të kemi informata dhe dyshime të bazuara, atëherë do të kemi edhe arrestime” tha prokurorja Asllani.

Sipas prokurores së rastit, në vendin e ngjarjes është gjetur një telefon, i cili po ekzaminohet ndërsa ka  njoftuar se viktimës iu është bërë edhe autopsia.

“Në këtë rast kemi pasur një mbikëqyrje të një trake, është e çuditshme sepse rreziku nuk kish qenë shumë i madh. Në ato momente nuk dihet nëse ka qenë i ndjeri duke folur në telefon, sepse telefonin e kemi gjetur në vendin e ngjarjes, të cilin po e ekzaminojmë, po ashtu për të ndjerin është dhënë urdhëresa për autopsi, të gjitha veprimet e para janë marrur në mënyrë urgjente” tha ajo.

Sipas saj, Prokuroria po pret tani raportin përfundimtar të Inspektoratit të Punës. Ajo njoftoj po ashtu se në vendin e ngjarjes janë intervistuar edhe punëtorët tjerë të fabrikës.

“Mua më kanë interesuar disa detaje tjera, se a ka qenë i lajmëruar punëtori, a ka marr pension e a ka qenë i siguruar punëtori, dhe punëtorët më kanë thënë që po. Këto informata po ashtu i ka edhe Inspektorati. Pasi të ketë raportin përfundimtar Inspektorati, tani ka punë prokurori” deklaroi ajo për KALLXO.com.

Prokurorja Asllani ka kritikuar edhe Inspektoratin e Punës, sipas saj kjo trupë inspektuese duhet të dal më shpesh në vendet e punës për të parë sigurinë që ofrohet nga kompanitë private.

“Inspektorati i Punës duhet të dalë më shpesh në terren për të parë se në çfarë kushte punojnë punëtort. Unë ende nuk kam pasur ndonjë rast ndonjë kallëzim penal nga Inspektorati i Punës që ka ngritur për ndonjë kompani” tha prokurorja.

Pretendimet e kompanisë

Kompania “Lab-Oil” ka sqaruar rastin për vdekjen e 22 vjeçarit Krenar Jemini nga Mushtishti i komunës së Suharekës.

Sipas kompanisë, 22 vjeçari në momentin tragjik ka qenë duke punuar në vendin e tij të punës dhe nga lëndimet e marra nuk ka arritur të mbijetojë.

“I ndjeri Jemini në momentin kritik ka qenë duke kryer punët e tij në fabrikë dhe ka shkarë në shiritin transportues të fabrikës, ku ka marrë lëndime vdekjeprurëse”, thuhet në komunikatën për media të kompanisë “Lab-Oil”.

Rasti tragjik ku humbi jetën i riu nga Mushtishti i Suharekës ka ndodhur në fabrikën e Petrokoksit që gjendet në Preoc (magjistarja Prishtinë-Ferizaj).

Kompania i ka shprehur ngushëllie familjes të punëtorit të ndjerë.

 

https://kallxo.com/vdekja-e-22-vjecarit-biznesi-qe-ia-mbylli-deren-kryeinspektorit-u-dekorua-nga-presidenti-thaci/