Donjeta Pajazitaj - Foto: Facebook

Vazhdon gjykimi i tretë ndaj të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Naser Pajazitaj, i cili akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn, ka dalur sërish para gjykatësit nën masa të rrepta të sigurisë, për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë së Pejës.

Ai akuzohet se në mënyrë dinake e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn, e cila ishte duke shkuar në punë.

Në seancën e sotme u dëgjua deshmitari Qëndrim Jusaj, i cili tha se ka dhënë deklaratë në shqyrtimet e kaluara gjyqësore. Të njëjtit iu ofrua për shikim një videoinçizim për të cilin tha se personi i cili shihet në atë video është pikërisht ai.

“Personi në xhirim jam unë. Në këtë kohë po kthehesha nga shkolla. Vetura e cila po shihet se po kalon nuk më kujtohet nëse nga ajo kam dëgjuar ndonjë gjë. Nuk e di se çfarë veture ka qenë ajo dhe se kujt i takon, thjeshtë e kam kthyer kokën instiktivisht për të parë”, tha dëshmitari Jusaj.

Sipas Prokurorisë përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën me ç`rast e kishte dërguar tek vendi ‘Kroi i Lajthisë’, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.

Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila ka vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të perjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Tutje, Gjykata e Pejës kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme, me njëri tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjetër e kishte dëenuar me burgim të përjetshëm.

Tani, pasi Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës së Pejës (edhe atë të lirimit edhe atë të denimit me burgim të përjetshëm), lënda është duke u gjykuar në Gjykaten e Ferizajt.

Në mungesë të një dëshmitari i cili nuk ishte prezent në Gjykatë, shqyrtimi  do të vazhdoj nesër më 17 nëntor.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast LINK