Protesta e kandidatëve për doktoraturë; Fotografi:KALLXO.com

Vazhdojnë protestën para Rektoratit kandidatët për doktoraturë

Kandidatët për doktoratë në Fakultetin e Mjekësisë dhe Fakultetin Ekonomik edhe sot kanë vazhduar protestën para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës duke kundërshtuar vendimin e Senatit për ritestim për testin pranues.

Studentët e këtyre dy njësive akademike kanë thënë se Senati ka marrë vendim që kandidatët për doktoraturë të ritestohen duke ia shkelur të drejtën elementare për studim.

Erolind Dërmaku, kandidat për doktoraturë nga Fakulteti i Mjekësisë ka thënë që pavarësisht se Agjencia Kundër Korrupsionit e ka kundërshtuar këtë vendim ata përsëri nuk kanë marrë përgjigje nga Rektorati në lidhje me kërkesat e tyre.

“Kërkesa jonë kryesore është që pika kryesore pse është  kërkuar ristestim prej Rektorati është se ka pas konflikt të interesit prej disa kandidatëve, përderisa përmes Agjencisë Kundër Korrupsionit është vërtetuar se kjo nuk është e vërtetë edhe nuk ka arsye për ritestim. Ne sa dimë kjo kërkesë për interpretim është bërë prej vet Rektorati, ata tani e kanë kthyer në Rektorat” ka thënë Dërmaku gjatë protestës.

Ndërkohë, ai tha se kërkesën e kanë bërë përmes avokatit të tyre privat dhe rastin e kanë dërguar edhe tek Avokati i Popullit.

“Ritestimi na ka shkaktuar problem për vonim të fillimit të studimeve të doktoraturës sepse edhe ashtu konkursi është organizuar pak vonë shkaku i pandemisë edhe tjetër është vonimi në përgjigjen tonë”, ka thënë ai.

Avokati i studentëve të Fakultetit të Ekonomikut, Egzon Lajçi ka thënë se duhet të ketë një mbledhje urgjente nga Senati në mënyrë që të kalojnë listat përfundimtare dhe studentët të fillojnë mësimin brenda 10 ditësh.

“Nuk ka asnjë arsye tjetër që të kthehemi në pikën zero ashtu si po pretendon Senati. është kërkesë shumë e qartë nga ana e studentëve që brenda javës të ketë një mbledhje urgjente ku do të diskutojnë përfaqësuesit nga Senati. Duhet të bëhet lista përfundimtare dhe studentët të fillojnë me ligjërata se ata veç e kanë humbur një semestër dhe është një humbje e madhe për studentët që të vazhdojnë edhe më tutje kështu shkaku i një procesi”, ka thënë Lajçi.

Ndërkaq, Agnesa Ibrahmi, studente e Fakultetit Ekonomik ka thënë se përveç kundërshtimit të ristestimit ata po kërkojnë që përqindjet nuk është dashtë të llogariten si të ndara por vetëm të bashkuara për shkak se është e pamundur të ritestohen për këtë arsye.

“Ky problem është në mes Senatit edhe Fakultetit. Ato lista mund të rregullohen brenda ditës dhe nuk ka nevojë që ne edhe njëherë të testohemi për shkak të kësaj arsye që është shumë e palogjikshme. Ne presim që me këtë të merret edhe Avokati i Popullit sepse, sipas neve, është shkelje e të drejtave elementare për studim ku është e palogjikshme që për gabim të dikujt tjetër të ritestohemi”, thotë Ibrahimi.

Sipas tyre, si pasojë e këtij vendimi 32 studentë nga Fakulteti Ekonomik dhe 22 nga Fakulteti i Mjekësisë duhet të ritestohen për doktoraturë.

Studentët për të njëjtin problem kanë protestuar edhe të premten.