Valon Berisha: Anglia dhe Çekia janë favoritë në grupin tonë  

Kombëtarja e Kosovës sot e ka mbajtur stërvitjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pas stërvitjes Valon Berisha, ka folur për mediat.

Mesfushori i Lazios ka theksuar se kundër Çekisë do të hyjnë për fitore.

“Anglia dhe Çekia janë favoritë në grupin tonë, pasi kanë eksperiencë të madhe. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme sidomos kjo në shtëpi kundër çekëve, që ma merr mendja që është çelësi i këtij grupi për neve. Ndërkaq në Angli nuk kemi çfarë të humbim, duhet të dalim e të luftojmë dhe të shohim çfarë mundemi të marrim. Nëse marrim një pikë është bonus, derisa fitorja është fantazi. Ma merr mendja që me mbështetjen e tifozëve do të shkojmë për fitore, pasi edhe ne tash njihemi mirë me njëri-tjetrin”, ka theksuar Berisha.

Ai ka thënë se ende nuk është në 100 përqind të formës, por beson se shumë shpejtë do të jetë në nivelin e tij më të mirë.

“Prej nëntorit nuk kam luajtur me Kombëtaren. Jam shumë krenar me rezultatet që i ka arritur Kosova. Ma merr mendja që askush nuk e ka pritur këtë sukses. Sa i përket formës ende nuk e kam atë nivel që e kam pasur, pasi 6 muaj kam qenë jashtë për shkak të lëndimit, por kam punuar shumë në stërvitje dhe pas çdo loje do e kthej formën”, ka theksuar Berisha.

Kosova do të luaj me Çekin të shtunën prej orës 15:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.