Vaksinat e reja anti-COVID priten së shpejti, por kur duhet t’i merrni?

Vaksinat e përditësuara rishtazi kundër COVID-19 do të jenë së shpejti në barnatoret amerikane, në kohën kur Shtetet e Bashkuara po shënojnë ngritje të theksuar të infektimeve. Por a është e udhës që të prisni në radhë për një dozë të re, apo duhet të prisni edhe disa javë për të pasur mbrojtje optimale kundër një vale të mundshme dimërore, ka pyetur CNN.

Ekspertët thonë se varet prej shëndetit tuaj, nëse ju së fundmi keni pasur COVID-19, cilën vaksinë planifikoni ta merrni dhe kur është më e përshtatshme për ju.

“Të them të drejtën nuk mund të jap një përgjigje të drejtpërdrejtë”, ka thënë mjeku Dr. Carlos del Rio, profesor i njohur i mjekësisë në Universitetin Emory dhe ekspert i sëmundjeve ngjitëse. “Jemi në vlugun e një vale të madhe. Shumë njerëz, përfshirë edhe veten në të vërtetë, kemi pasur së fundmi COVID”, ka thënë ai.

Për këtë arsye, ai ka ndarë mendjen që ta shtyjë edhe pak marrjen e vaksinës së përditësuar.

“Nëse e keni pasur gjatë tre muajve të fundit, do të prisja. Nuk është e nevojshme të merrni vaksinë, sepse në njëfarë forme e keni pasur. Ju jeni ‘vaksinuar’ prej variantit aktual”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, nëse së fundmi nuk e keni pasur COVID-in, dhe veçmas nëse jeni 65 vjeç ose më i moshuar, “do ta merrja sa më shpejt që është e mundshme”, ka shtuar Dr. Rio. E njëjta vlen edhe për njerëzit që kanë probleme shëndetësore që i vënë ata në rrezik më të lartë për rezultate më serioze prej infektimit me COVID.

Por kush janë njerëzit me rrezikun më të lartë për shtrirje në spital ose që të vdesin? Dr. Paul Offit, drejtor i Qendrës Edukative të Vaksinimit në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia dhe anëtar i komitetit këshillimor të vaksinave në Administratën amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve, ka thënë se njerëzit që kanë probleme serioze pas infektimit me COVID, janë të katër kategorive.

“Në njërin janë njerëzit me imunitet më të dobët; në të dytin njerëzit të cilët kanë gjendje shëndetësore që i ekspozon para rrezikut të lartë, si obesiteti, diabetet dhe sëmundjet kronike me lukth, mushkëri ose zemër. Mendoj se në grupin e tretë janë shtatzënat, dhe në të katërtin janë ata që unë me hezitim i përshkruaj si të moshuar”, të cilët Offit i kategorizon si grupmoshë mbi 75 vjeçe.

Offit dhe ekspertët thonë se personat më të rinj dhe të rritur e shëndetshëm është mirë nëse presin pak. Në fakt, do të ishte e udhës ta bënin këtë, meqë imuniteti që injekton vaksina ofron mbrojtje që mund të zbehet brenda pak muajsh. Pritja deri në vjeshtë siguron që ju të jeni të mbrojtur më mirë gjatë stinës së viruseve respiratorë, që zakonisht e arrin kulmin në dhjetor dhe janar.

Dr. Megan Ranney, dekanë e Shkollës së Yale për Shëndetin Publik, ka thënë se me rëndësi të pritet edhe pak, me qëllim që vaksina të ofrojë mbrojtje më të madhe dimrit. “Variantet aktuale të COVID-it, dallojnë thelbësisht prej varianteve të dimrit të kaluar, dhe vaksinat e sivjetme janë bërë për variantet e reja”. Edhe ajo pajtohet se të moshuarit dhe ata me telashe shëndetësore mund të vaksinohen më herët. Por vetë ajo e ka ndërmend ta shtyjë edhe pak vaksinimin.

“Po planifikoj të pres deri në kohën kur ta marr edhe vaksinën e gripit, diku kah tetori”, thekson ajo.

Ranney ka thënë se vaksinat e përditësuara mRNA të “Pfizerit” dhe “Modernas” mbase do të jetë të gatshme të parat, me vaksinën e “Novavaxit” që pritet të prodhohet brenda pak javësh.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com