U zunë për televizor, rrahu gruan, paraburgoset për një muaj

Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit A.Q., për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor.

Sipas njoftimit të kësaj gjykate, gjykatësi Fidan Hoxha ka caktuar këtë masë deri më datën 15 maj 2021.

Në këtë rast, gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për këtë masë, pasi që rrjedh dyshimi se i njëjti me datë 15 prill, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake me bashkëshorten e tij, rreth një televizori, e ka sulmuar të dëmtuarën duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit.

Këto veprime, të dëmtuarës i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Gjykata e Prizrenit e ka vlerësuar si të arsyeshme paraburgimin prej një muaji, pasi që hetimet e këtij rasti, ende janë në fazën fillestare, e po ashtu kjo gjykatë e ka marrë parasysh edhe deklarimin e të dëmtuarës, që i pandehuri edhe më herët ka ushtruar dhunë dhe e ka keqtrajtuar të njëjtën.

Kundër kësaj mase, pala e pakënaqur ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit, mirëpo e njëjta ankesë nuk e shtynë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Prizrenit.