Trusti Nuk Investon në Bitcoin

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TRUST), këtë vit ka mbushur 15 vite të veprimtarisë së tij. Ky Fond për këto vite ka treguar qëndrueshmëri, por edhe gjatë këtyre viteve ka pasur sfida dhe rrezikshmëri të investimet e tij.

Ymer Havolli kryetari i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, në 15 vjetorin e themelimit të TKPK-së, tha se në këtë përvjetor Trustin e gjen në një pozitë më të mirë.

“Këtë vit ne kremtojmë 15 vjetorin, ky është një projekt që është përkrahur nga USAID- amerikan, nga Banka Botërore, nga Instituti Riinvest. Trusti i Kursimeve Pensional të Kosovës, ka treguar se është një projekt i mirë dhe i cili është një model i mirë. Është një institucion mjaft kredibil”, ka thënë Havolli, transmetoi RTK.

Havolli bëri me dije se tani në Trust janë në menaxhim 1.6 miliardë euro kursime pensionale të qytetarëve kosovarë. Sipas tij vështirësitë më të mëdha Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TRUST), i kas pasur në vitin 2008 në kohën e krizës globale, ku shumë institucione ndërkombëtare patën vështirësi të mëdha.

Për mundësinë e investimit të Trustit në tregjet e kriptovalutave siç është Bitcoin, Ymer Havolli kryetari i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, deklaroi se koncepti i këtij institucioni është i përjashtuar.

“Edhe BQK-ja është kundër investimeve në këtë institucion. Është një piramidë që mund të shpërthejë. Unë punoj në bazë të ligjit”, tha ai.

Lidhur me projektin Termocentrali “Kosova e Re” dhe hapjen e mundësive për të investuar mjetet e Trustit, në TC “Kosovën e Re”, Havolli ka thënë se nëse qeveria është e interesuar dhe se këtë mund të bëj përmes letrave me vlerë.

Havolli bëri me dije se deri më tani Trusti ka investuar 400 milionë euro në letrat me vlerë të qeverisë së Republikës së Kosovës.