Tridhjetë ditë paraburgim të dyshuarit për lëndim trupor me pasojë vdekje

Tridhjetë ditë paraburgim të dyshuarit për lëndim trupor me pasojë vdekjeje

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.SH.

Ai po dyshohet se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekjen, vepër kjo e paraparë me ligj.

Gjykata ka njoftuar se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 21 shkurt 2021, në fshatin Bibaj – Komuna Ferizaj, me dashje i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor.

Tutje gjykata njofton se i pandehuri, me tani të ndjerin A.L., pas një fjalosjeje, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, ku si pasojë e goditjes rrëzohet në asfalt dhe pëson lëndime trupore, për pasojë ndërron jetë.

Tutje thuhet se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

“Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, duke marrë parasysh rrethanat e rastit, ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi po të gjendet në liri i pandehuri, mund të arratiset ose të ike, duke marrë parasysh se njëjti që nga data 21.02.2021 është arratisur, gjegjësisht ka shkuar në shtetin e Zvicrës edhe për kundër faktit se ai është paraqitur vullnetarisht në organet e ndjekjes, i njëjti ka të rregulluar statusin e leje qëndrimit ne Zvicër dhe mund të ikë ose të arratiset”, thuhet në njoftimin e gjykatës.