Foto: ZKM

Thaçi e Haradinaj flasin për samitin e Berlinit, pyeten a janë koordinuar

Presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj, kanë dalë para gazetarëve në Berlin, në mjediset e Ambasadës së Kosovës, për të folur shkurt për samitin e sotëm i cili organizohet nga kancelarja gjermane Angela Merkel e në të cilin merr pjesë edhe Presidenti i Francës, Emanuel Macron.

Të pyetur rreth një draft- dokumenti që ka qarkulluar gjatë ditës së djeshme me të cilin Kosova e Serbia zotohen për angazhim në dialog, që të dy liderët kosovarët mohuan të jenë në dijeni për një dokument të tillë.

“Me ne s’ka folë askush hala”, tha Thaçi.

“Nuk ka një draft, a një dokument as të dakorduar as të informuar paraprakisht, por ajo që është me rëndësi e që e kemi thënë çdo herë, Kosova i ka qëndrimet e veta dhe besoj që edhe sonte do të jemi në nivel të përgjegjësive tona”, shtoi Haradinaj.

Kur u pyet nëse për të është e pranueshme një marrëveshje që përfshin korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Thaçi iu shmang përgjigjes.

“Nuk ka dialog e negociata pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova është vend i pavarur e sovran, Luginë e Preshevës do të jenë krejt një”, tha Presidenti.

Por as ai as kryeministri nuk iu përgjigjen pyetjes së radhës nëse janë koordinuar mes vete për këtë takim në të cilin do t’i kenë përballë homologët serbë Aleksandar Vuçiq dhe Ana Brnabiq.