COVID-19 Ilustrimi- Naser Fejza

Tetë raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se nga 485 testime, tetë qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

Sipas MSh-së, gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.

“Sot janë shëruar 18 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 225.052”, thuhet në njoftim.

Në total numri i rasteve aktive me coronavirus në Kosovë është 138.

Sa i përket vaksinimit, Ministria ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë dhënë 96 doza të vaksinës kundër COVID-19.

“Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.828.705 doza të vaksinës. Deri më sot 822.930 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Deri më sot janë dhënë 102.635 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19”, vijon njoftimi.

Përkundër COVID-19, në Kosovë ende nuk ka asnjë rast të dyshuar me linë e majmunëve, virus ky i cili është konfirmuar nëpër disa vende të botës tashmë.

Institucione shëndetësore në vend kanë njoftuar së kanë nisur përgatitjet në rast të ndonjë infektimi të mundshëm me këtë virus.