Foto: KALLXO.com

Tërheqja e 10-përqindëshit nga Trusti, 72 mijë qytetarë aplikuan për më pak se 100 euro

Fondi i Kursimeve Pensionale ka njoftuar se për tërheqjen e 10% të kontributeve në dy ditët e para janë bërë 270 mijë aplikime.

Për tërheqjen e shumës nën 100 euro, janë bërë rreth 72 mijë aplikime.

Sipas të dhënave të publikuara nga Trusti, rreth 6 mijë aplikime janë bërë për tërheqjen e 10 eurove.

Për shumën 200 deri në 500 euro kanë aplikuar rreth 65 mijë qytetarë.

Ndërsa për tërheqjen e mbi 4 mijë eurove kanë aplikuar 1,300 euro.

KËTU mund të aplikoni për tërheqjen e 10 % të trustit.

Në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Një ndër nenet e këtij ligji, ua mundëson qytetarëve të tërheqin në mënyrë të parakohshme deri në 10% të mjeteve të kursyera në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust).

Të gjithë kontribuesit të cilët nuk e dinë se sa para i kanë në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, mund të krijojnë një llogari online në “eTrusti” duke u regjistruar KËTU.

Qeveria Hoti prezantoi programin për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë, i cili synon të ofrojë mbështetje për sektorin privat dhe kompensim për humbje të shkaktuara nga pandemia. Mirëpo, pjesa e këtij programi që tërhoqi më së shumti vëmendje nga qytetarët është ajo për rritje të kërkesës që praktikisht do tu mundëson atyre tërheqjen e parakohshme të një pjese të kontributeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (Trust-i).

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ka nën menaxhim 2,140,991,440 euro. Numri i llogarive të hapura që nga fillimi është 700,975 kurse aktualisht janë 365,954 llogari aktive.

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës është institucion publik i pavarur dhe jo-për-profit, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. FKPK është krijuar sipas modelit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribuues kursen për pension në një llogari personale.

FKPK është institucion i themeluar në dhjetor të vitit 2001 dhe ka filluar aktivitetin në gusht të vitit 2002 për të administruar dhe menaxhuar kontributet e obligueshme pensionale (dhe vullnetare) të të punësuarve në Kosovë.