Të mërkurën merret vendimi i gjykatës për inspektorët Komunal të Kamenicës të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Të mërkurën merret vendimi i gjykatës për inspektorët Komunal të Kamenicës të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kështu është vendosur pas mbajtjës sot në Gjykatën e Gjilanit, ku është zhvilluar seanca e fundit gjyqësore në gjykimin ndaj tre inspektorëve komunal të Komunës së Kamenicës, Enver Ismajli, Naser Vllasi dhe Dobrivoje Milkoviq, për shkak të dyshimit se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, duke mos shqiptuar masat restriktive ndaj shkelësve të masave anti-COVID-19.

Në seancë, kanë dhënë mbrojtjen e tyre të akuzuarit Naser Vllasi dhe Dobrivoje Milkoviq, kurse i akuzuari Enver Ismajli, në seancën e kaluar ishte mbrojtur në heshtje.

I akuzuari Naser Vllasi, ka deklaruar se kur kishte hyrë në kafeteri e njëjta ka qenë verandë, dhe nuk ka qenë hapësirë e mbyllur në pjesën ku kanë qenë konsumatorët.

“Kur kam arritur në atë verandë, distanca është respektuar mes tavolinave. Në natën kritike, më kishte thirrur inspektori Enver Ismajli (i akuzuar), për të dalë në vendngjarje. Procesverbalin e kam nënshkruar, por nuk e ka lexuar, sepse i kam besuar inspektorit Ismajli”, tha i akuzuari Vllasi.

Ai gjithashtu tha se kur kishte shkuar në kafeteri nuk kishte parë ndonjë parregullsi dhe se është respektuar vendimi i Qeveris për COVID-19.

Para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Aziz Shaqiri, ka dhënë mbrojtjen e tij edhe i akuzuari Dobrivoje Milkoviq.

Ai deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori. I akuzuari deklaroi se në kafeteri ishte ftuar nga Enver Ismajli për kontroll dhe se “kemi qenë tre inspektorë Enveri, Naseri, dhe unë”, tha ai.

Sa i përket distancës me policët, i akuzuari theksoi se distanca mes tyre si inspektorë dhe policë ka qenë rreth 7-8 metra, dhe sipas tij asistenca e policisë ka qenë minimale.

Pasi palët dhanë fjalën përfundimtare, kryetari i trupit gjykues Aziz Shaqiri bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet me datën 22 shtator, në ora 08:30.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit më 16 gusht 2020 si persona zyrtarë, inspektorë të tregut, në Kamenicë, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Aktakuza sqaron se të akuzuarit kanë qenë të njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, se në një lokal nuk është duke u respektuar vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me pandeminë “COVID-19”, përkatësisht nuk është mbajtur distanca sociale dhe në të kanë qenë të pranishëm mbi 50 persona.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, të akuzuarit me asistencën e policisë kanë shkuar te lokali në fjalë por nuk kanë marrë asnjë veprim me arsyen kinse gjithçka në atë lokal është në rregull, duke u deklaruar se janë autoriteti i vetëm që merren me këtë çështje dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Dëshmitari rrëfen se si u sollën inspektorët e akuzuar për mos marrjen e masave ndaj coronavirusit në Kamenicë