Të dhënat për ankesat disiplinore në gjykatat e Kosovës

Me mbështetjen e Programit të USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë – JSSP, BIRN dhe Fol  javën e kaluar publikuan  raportin mbi ankesat disiplinore ndaj gjyqtarëve në gjykatat e Kosovës.

Ky raport ka për qëllim të vlerësojë efikasitetin dhe transparencën në procedurën e trajtimit të rasteve disiplinore të iniciuara ndaj gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave në Republikën e Kosovës përgjatë periudhës 1 korrik deri më 1 nëntor 2019.

Në përgjithësi, nga 1 korriku deri më 1 nëntor 2019, të gjitha gjykatat e Kosovës (që kanë ofruar përgjigje), gjatë vitit kanë pranuar 34 raste të ankesave, prej të cilave në 19 raste apo 56% të tyre janë refuzuar ankesat, në 5 raste apo 14% është kërkuar inicimi i hetimeve, 5 raste janë në proces dhe për 5 raste të tjera nuk ka informacion në lidhje me mënyrën e vendosjes apo stadin e ankesës. Në këto raste Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka ofruar të dhëna të pjesshme dhe të paqarta.

Kjo periudhë është relativisht e shkurtër për të monitoruar këtë proces, andaj monitorimi do të vazhdojë deri në qershor të vitit 2020. Përmes këtij raporti synohet të pasqyrohet numri i përgjithshëm i ankesave të pranuara nga Autoriteti Kompetent, numri i rasteve të refuzuara dhe të hedhura, numri i rasteve të referuara në Prokurorinë e Shtetit dhe numri i rasteve për të cilat është kërkuar inicimi i procedurës disiplinore pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Para publikimit të këtij raporti përfundimtar, BIRN dhe FOL më 12 dhjetor të vitit të kaluar, mbajtën një konferencë në të cilën u prezantua broshura me gjetjet fillestare në lidhje me procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve.

Në këtë konferencë mori pjesë kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kryetarët e disa  gjykatave të Kosovës ndërsa raporti më pas iu është dërguar për komente eventuale të gjitha gjykatave dhe Institucionit të Avokatit të Popullit.

Këtu mund t’i gjeni raportin në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.