Foto - AP

Tableta antivirale COVID-19 përgjysmon hospitalizimet dhe vdekjet

Sipas rezultateve të shpallura sot, ditë e premte, një tabletë antivirale u zbulua për të zvogëluar përgjysmimin e hospitalizimeve dhe vdekjeve në pacientët e sapo diagnostikuar me COVID-19, shkruan The Guardian.

Në rast se miratohet, ilaçi i prodhuar nga kompania amerikane Merck dhe Ridgeback Biotherapeutics do të ishte ilaçi i parë i thjeshtë oral i treguar të jetë efektiv kundër Covid-19, i cili do të shënonte një progres vendimtar në luftën kundër pandemisë. Ilaçe tjera, të tilla si Remdesivir, janë treguar të jenë efektive nëse përshkruhen dhe mirren herët, por të gjitha trajtimet e miratuara aktualisht duhet të jepen si injeksione ose infuzione IV.

Merck tha se do të aplikojë për autorizim të përdorimit urgjent të këtij ilaçi në SHBA brenda dy javëve të ardhshme dhe do të kërkojë miratimin në disa vende të tjera.

Prova me këtë ilaç u bë me 775 të rritur me Covid-19 me simptoma të buta deri të moderuara, të cilët konsideroheshin në rrezik më të lartë për sëmundje të rënda për shkak të problemeve shëndetësore të tilla si obeziteti, diabeti ose sëmundjet e zemrës. Gjysmës prej tyre iu përshkrua një kurs pesë-ditor i pilulës, i quajtur Molnupiravir. Në grupin e placebos (Placebo është një substancë ose trajtim i cili është krijuar për të mos pasur vlera terapeutike), 53 pacientë (14%) u hospitalizuan në krahasim me vetëm 28 (7%) të atyre që ishin trajtuar me këtë ilaç. Sipas kompanisë në fjalë, nuk pati viktima në grupin e atyre që kishin marrë këtë ilaç pas asaj periudhe kohore krahasuar me tetë vdekje në grupin e atyre të cilët ishin trajtuar me placebo.

Të dhënat nga studimi u bënë publike në një deklaratë për media dhe një grup i pavarur ekspertësh mjekësorë që monitoronin provën rekomanduan ndalimin e tij të hershëm sepse rezultatet e përkohshme ishin aq inkurajuese.

“Ky ilaç tejkaloi atë që mendova se ilaçi mund të ishte në gjendje të bënte në këtë provë klinike,” ka deklaruar Dean Li, zëvendëspresident në fushën kërkimore të kompanisë Merck. “Kur shihni një reduktim prej 50% të hospitalizimit ose vdekjeve, ky është një ndikim thelbësor klinik.”

Vetëm informacione të kufizuara mbi efektet anësore u bënë publike në njoftimin për media, mirëpo kompanitë në fjalë thanë se normat ishin të ngjashme midis grupit të trajtuar me placebo dhe grupit që ishte pjesë e trajtimit të këtij ilaçi viral. Një ngjarje e pavaforshme, apo një rezultat i keq, ndodhi në 35% të atyre që u trajtuan me molnupiravir dhe 40% të atyre që u trajtuan me placebo. Vetëm 1.3% e pjesëmarrësve që u trajtuan me këtë ilaç e ndërprenë trajtimin për shkak të një rezultati të pafavorshëm, krahasuar me 3.4% që e ndërprenë trajtimin me placebo.

Një pilulë e përshtatshme që pacientët mund të marrin kur simptomat e Covid shfaqen për herë të parë është parë prej kohësh si një qëllim vendimtar në kontrollin e valëve të ardhshme të infeksionit dhe zvogëlimin e ndikimit të vazhdueshëm të pandemisë.

Përktheu: Nuhi Shala