Shqipdon Fazliu| Foto: Drejtësia në Kosovë

Supremja refuzon ankesën e Shqipdon Fazliut për procesin e Kryeprokurorit të Shtetit

Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë ankesën e Shqipdon Fazliut, një prej kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, i cili ka ushtruar ankesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së procesit.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor e parashtruar nga paditësi, Shqipdon Fazliu, kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit- Departamenti për Çështje Administrative në Prishtinë”- thuhet në arsyetim të vendimit, të cilin e ka siguruar gazeta online reporteri.al.

Supremja e vlerësoi si të drejtë vendimin e  Gjykatës së Apelit dhe atë të Themelores në Prishtinë, të cilat kanë gjetur se padia e paditësit është e pasafatshme dhe si e tillë hidhet poshtë.

“Gjykata Supreme i shqyrtoi edhe pretendimet e tjera të theksuara si në kërkesë por i vlerësoi si jo me ndikim për të vendosur ndryshe në këtë çështje nga ajo e vendosur nga gjykata e instancave më të ulëta. Prandaj mbi këtë gjendje të fakteve si më lartë kolegji i Gjykatës Supreme i vlerëson si të drejtë dhe të ligjshëm vendimet e gjykatave më të ulëta sepse është vërtetuar në mënyrë të plotë çështja në shqyrtim, dhe drejtë kanë aplikuar dispozitat ligjore të Ligjit të Procedurës Administrative, Ligjit për Konflikte Administrative dhe Ligjit për Procedurën Kontestimore”- sqarohet në aktgjykimin e Supremes.

Instanca e tretë më tej ka theksuar se aktvendimet po ashtu nuk janë të përfshira në shkelje procedurale.

“Aktvendimet e kontestuara nuk janë të përfshirë me shkelje procedurale apo me zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Aktvendimet e atakuara me kërkesë janë të qartë dhe të arsyetuar mjaftueshëm lidhur me faktet vendimtare, të cilat i aprovon edhe kjo gjykatë”- thotë Supremja.

Shqipdon Fazliu nuk kishte arritur që të listohet i pari në garë dhe në prill të këtij viti  e ka kontestuar procedurën e zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ai ka pretenduar se ky proces ishte përshkuar me parregullsi nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës  në maj të këtij viti e ka përzgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit por pavarësht kësaj ai nuk u dekretua ende nga presidentja.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN  e ka monitoruar në të gjitha fazat procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit.

Raporti i BIRN-it ka vënë në pah se në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka arritur t’i përmbushë në plotëni standardet e transparencës, ndërsa vendimet pasuese pas ankesave treguan për mungesë të një standardi të unifikuar në vlerësimin e kandidatëve.

Pas përfundimit të intervistimit dhe poentimit, kandidati më i poentuar ishte Blerim Isufaj, i cili kishte marrë 98 pikë nga 100 pikë sa ishte totali. I dyti është renditur kandidati, Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë si dhe Lulzim Sulejmani me 74.2 pikë.

Lidhur me vërejtjet për zhvillimin e këtij procesi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu takoi përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, për të diskutuar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Raportin e detajuar të BIRN lidhur me monitorimin e procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit mund ta lexoni përmes këtij linku.

https://kallxo.com/gjate/transparenca-e-munguar-ne-konkursin-per-kryeprokuror-te-shtetit/