Sot gjykata vendos për vrasjen e trefishtë që tronditi Prizrenin

Sot në orën 13:30 shpallet vendimi i gjykatës në rastin e Eshref dhe Ejup Shemollarit, babë e bir, të akuzuar për vrasjen e trefishtë që 4 vjet më parë tronditi Prizrenin.

Shemollarët po rigjykohen lidhur me vrasjen e Ferdi Shishkos, Haki Thaçit dhe Belgin Ersoyt, e cila ka ndodhur më 8 mars 2015.
Eshref Shemollari po akuzohet për vrasje të rëndë.

Sipas aktakuzës, më 8 mars 2015, në Prizren, në lagjen afër Spitalit, Eshref Shemollari me dashje ka vrarë Ferdi Shishkon, Haki Thaçin dhe Belgin Ersoyn, që të tre nga Prizreni.

Ndërsa Ejup Shemollari, i biri i tij, akuzohet për vrasje të rëndë në ndihmë, kjo pasi sipas aktakuzës i njëjti i ka ndihmuar babait të tij që pas kryerjes së veprës penale të largohej nga vendi i ngjarjes.

Më 2 tetor 2017 Gjykata Themelore në Prizren kishte shqiptuar dënimet ndaj dy të akuzuarve Eshref e Ejup Shemollari.

Në atë vendim, trupi gjykues kishte vendosur që i akuzuari kryesor Eshref Shemallari të dënohet me 24 vjet burg në akuzat për vrasje të rëndë ndërsa djali i tij Ejupi, u dënua me 4 vjet e gjysmë burg në akuzën për ndihmë të dhënë kryesit pas kryerjes së veprës penale.

https://kallxo.com/28-5-vjet-burg-per-vrasjen-e-trefishte-ne-prizren/