Skandali i Drenasit: Vajza i nënshtrohet ekzaminimeve gjinekologjike në QKUK

Mjekët në Klinikën e Gjinekologjisë sot gjatë ditës kanë kryer ekzaminime të detajuara për vajzën nga Drenasi e cila në muajin kishte abortuar muajin e kaluar.

Ajo është ekzaminuar sot me urdhër të prokurorisë pas arrestimit të policit dhe mësuesit nga Drenasit të dyshuar për abuzim seksual dhe doktorit të dyshuar për abortim të kundërligjshëm.

Burimet të KALLXO.com mësojnë së mjekët kanë ardhur në përfundim se nga aspekti gjinekologjik, ajo është e shëndetshme dhe se nuk ka ndonjë mbetje nga aborti paraprak.

Sipas informatave, mjekët kanë përcaktuar edhe javët e shtatzënisë në të cilat ka qenë vajza në kohën kur ka abortuar.

Dosja për pjesëtarin e policisë 

Ngjarja e cila e tronditi opinion publik në Kosovë dyshohet se fillimisht ndodhi pasi që e mitura kishte shkuar në Polici për ta raportuar ngacmimin seksual nga mësimdhënësi.

Ditë më parë mediat raportuan se viktima e mitur kishte shkuar në polici për të raportuar ngacmimin e mësimdhënësit por që më pas kishte rënë pre e dhunimit dhe keqpërdorimit seksual edhe nga polici.

KALLXO.com, ka dhënë detaje nga dosja e Prokurorisë.

Aty shpjegohet se si polici dyshohet se e ka keqpërdorur pozitën kur viktima e kishte lajmëruar një rast të abuzimit seksual nga një mësues i saj.

Dosja sqaron se i pandehuri më pas kishte shkuar të shkolla, ku nga viktima kishte marrë numrin e saj të telefonit.

Pas këtij veprimi, sipas asaj që shkruhet në dosjen e Prokurorisë, polici ka filluar të komunikojë me të duke e kushtëzuar që nëse nuk del të takohet me të, ky ‘nuk kthehet i gjallë në shtëpi’.

Nga aty, sipas dosjes, i dyshuari kishte shkuar te shtëpia e viktimës, ku pas presioneve me drita të makinës e kishte detyruar të dalë jashtë.

“Me veturën e tij kanë shkuar në motel dhe aty pa dëshirën e të dëmtuarës sipas Prokurorisë i dyshuari e ka detyruar që të ketë marrëdhënie seksuale me të”, thuhet në dosje.

Prokuroria përmend disa raste, ku sipas saj, ishin kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirë, përfshirë udhëtimet në Shqipëri si Patok, Tiranë, kalanë e Rozafës, Elbasan etj.

Rasti kishte nisur në vitin 2016, kur viktima ishte 16 vjeçare, ndërsa lidhja thuhet se kishte vazhduar tutje gjatë dy viteve të ardhshme.

Në janar 2019, kur vajza ishte 18 vjeçe ajo kishte kuptuar se ishte shtatzënë në javën e 10-të.

Lajmi për shtatzëninë kishte ngritur në këmbë një aparat të tërë ndërsa termini për abortin dyshohet se ishte caktuar me 15 janar në klinikën e doktorit F.A.

Aty aborti dyshohet se ishte kryer për një shumë prej 230 eurosh.