Takimi Thaçi- Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi. Foto: BE

Si e parashohin amerikanët marrëveshjen Kosovë-Serbi

Prestigjiozja amerikane “The Washington Post”, përmes një artikulli të publikuar me titullin “Trump fton për marrëveshje paqësore në “Rose Garden”, derisa pa zë punon për paqe mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kjo gazetë ka shkruar për përpjekjet e presidentit Trump dhe të administratës amerikane, për t’i ulur tensionet ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe arritjes së një marrëveshjeje paqësore përfundimtare, që do t’i jepte fund konfliktit ndërmjet dy vendeve.

Kjo prestigjioze amerikane ka raportuar edhe për një takim që presidenti Thaçi ka pasur në muajin e kaluar me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili njihet si njeri i afërt i presidentit Trump.

“Presidenti Thaçi dhe unë biseduam për rëndësinë që të merren vendime afatgjata në vend të reagimeve afatshkurta. Jam i kënaqur që ai u pajtua dhe u zotua se do të punojë t’u jepet fund taksave që janë vënë tash vonë në produktet e Serbisë”, ka thënë ambasadori Grenell për “The Washington Post”.

Ndërsa, siç raporton ky medium amerikan, presidenti Thaçi është zotuar se do të angazhohet për ndryshimin e kursit në tarifat sanksionuese në të gjitha mallrat serbe, nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë.

Këtë e ka konfirmuar edhe vetë presidenti Thaçi në llogarinë e tij në rrjetet sociale, pas disa raportimeve kontroverse nëpër media.

“Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë, i kam thënë gazetës “The Washington Post”, duke kërkuar që SHBA-ja të marrë rol udhëheqës në koordinimin e inputit ndërkombëtar për Marrëveshjen Paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërgjegjja jonë na kërkon – dhe është detyrë e jona historike – që të bëjmë paqen të mundshme dhe të vërtetë”, ka shkruar Thaçi.

The Washington Post raporton edhe për letrat që presidenti Trump ia ka dërguar Thaçit dhe Vuçiqit dhe, sipas këtij mediumi amerikan, Shtetet e Bashkuara e shohin këtë hap të presidentit Thaçi, si hap të parë drejt dhënies fund të eskalimit “një për një”, që është zhvilluar në muajt e fundit dhe kthim potencial në atë që duket se është përpjekje më frytdhënëse në këtë dekadë drejt një marrëveshje paqësore.