Seanca e sotme në rastin për fajde në gjykatën e Prizrenit. Foto: Kallxo.com

Shtyhet Seanca për Fajde Ndaj Kqirajve, Mungon e Akuzuara

Gjykimi për fajde, krim të organizuar, detyrim dhe vepra tjera penale, seanca gjyqësore nuk u mbajt për shkak të mungesës së të akuzuarës Zyrafete Hukolli.

Kryetari i trupi gjykues, në fillim të seancës gjyqësore njoftoi të pranishmit se avokati Islam Gashi, e kishte njoftuar se klientja e tij, e akuzuara Zyrafet Hukolli gjendet në qendrën e ndalimit në Pejë për shkak të dyshimit për kryerje të një vepre tjetër penale, përkatësisht për veprën penale të zjarrvënies së qëllimshme.

Në këtë seancë gjyqësore mungoi edhe i akuzuari Ekrem Leci, për të cilin askush nuk pati informacion, as mbrojtësi i tij ngase nuk lajmërohej në numrin kontaktues.

Mbrojtja propozoi që ndaj të akuzuarve të cilët gjenden në arrest shtëpiak, tu ndryshohet kjo masë me masën e paraqitjes në stacionin policor.

Me këtë rast, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Arianit Koci, e njoftoi trupin gjykues se i aluzuarin Benson Buza, disa herë është parë në afërsi të lokalit të të dëmtuarve dhe me këtë sipas avokatit, të dëmtuarit nuk ndjehen të sigurt.

Koci, poashtu u ankua në trupin gjykues se nuk ka pranuar asnjë shkresë me të cilën do t’i bëhej me dije se Benson Buzës i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak. Avokati tha se asnjëherë nuk është duke pranuar shkresa nga gjykata.

Me këtë rast, reagim pati edhe prokurorja Merita Bina- Rugova, e cila shprehu shqetësimin se po merren vendime nga trupi gjykues dhe nuk po njoftohet prokuroria e shtetit, me çka ka bërë që të humben edhe afatet për ankimim.

Për këtë kryetari i trupit gjykues njoftoi se është problem administrativ dhe jo i trupit gjykues, ngase trupi gjykues tha se ka proceduar me vendimet.

Avokati Koci po ashtu në seancë gjyqësore e noftoi trupin gjykues se pala e dëmtuar shpreh shqetësime ngase njëri nga avokatët e të akuzuarve ka lidhje familjare, në afërsi gjinie me kryetarin e trupit gjykues, meqë tha se nuk e ka të konfirmuar këtë afërsi, nuk përmedi emrin e avokatit dhe kërkoi që trupi gjykues ta vlerësojë për mundësinë e konfliktit të interesit.

Në fund, prokurorja speciale Merita Bina Rugova, i tha trupit gjykues se ende ekzistojnë arsyet për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të gjithë të akuzuarit.

Për të gjitha propozimet, si të mbrojtjes ashtu edhe të palës së dëmtuar dhe prokurores, trupi gjykues palët do t’i njoftojë me shkrim.

Seanca e radhës do të mbahet më 24 tetor 2017

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

http://kallxo.com/kryefamiljari-kqirajve-te-akuzuar-per-fajde-rruga-jone-deri-te-pasuria/

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor.